Britania ligj të ri kundër emigrantëve, kryeministri Johnson premton luftë ndaj trafikut ilegal
Të paktën 409 emigrantë ilegalë mbërritën në brigjet britanike vetëm ditën e mërkurë.
Shifrat e fundit vijnë teksa kryeministri Boris Johnson deklaroi se Mbretëria e Bashkuar është kthyer në një magnet për trafikantët e qenieve njerëzore dhe paralajmëroi se do të ndryshojë ligjin për të zgjidhur krizën.
“Ndiej dhembshuri për ata që janë aq të dëshpëruar saqë vënë fëmijët e tyre në gomone apo mjete të tjera dhe përpiqen të kalojnë kanalin. Por më duhet t’u them se ajo që po bëjnë është se po bien pre e bandave kriminale dhe po shkelin ligjin. Ata gjithashtu po minojnë kërkesat legjitime të personave të tjerë që kërkojnë azil në këtë vend”, tha kryeministri britanik.
Që nga fillimi i vitit, mbi 5 mijë emigrantë kanë mbërritur në Britani me varka të vogla, me rekordin prej 1.468 njerëzish të regjistruar në gusht.