Britania e Madhe mund të bashkohet në një koalicion ushtarak të njohur si “NATO i Azisë”, pas një propozimi amerikan për të shtuar anëtarët e grupit, si kundërpeshë ndaj Kinës.
“The Telegraph” thotë se propozimi u bë nga shefi i ri i politikave të Presidentit amerikan Joe Biden, i cili thotë se në aleancën zyrtare, të quajtur “Katërshja”, të shtohet edhe Britania e Madhe, për të frenuar aventurat e Pekinit.
Edhe pse nuk ka ende një ofertë zyrtare në tavolinë për kryeministrin Boris Johnson, Britania duket se do të rreshtohet me Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Australinë dhe Indinë, të cilat kanë pasur të gjitha probleme me Kinën, sidomos në zonat e kontestuara në Detin e Kinës Jugore.
Gjithashtu, Johnson ka ftuar Australinë, Indinë dhe Korenë e Jugut që të marrin pjesë në Samitin e G7-s në qershor, ku pritet të formalizohet edhe aleanca e përhershme.
Shtetet e Bashkuara janë përplasur me Kinën për disa çështje në kohët e fundit, si koronavirusi, korrupsioni dhe të drejtat e pakicave, ndërsa Australia kritikon Pekinin veçanërisht për krizën e koronavirusit. Nga ana tjetër, ushtarët indianë kanë kryer luftime me ata kinezë në kufirin mes dy shteteve në Himalaje, ndërsa Japonia ka një konflikt të hapur me Kinën për ishuj të pretenduar nga të dy shtetet.