Britania e Madhe po përjeton ditë zie pas lajmit të vdekjes së princit Filip, Duka i Edinburgut, njëkohësisht dhe bashkëshorti i mbretëreshës Elizabeth.
I cilësuar si “gjyshi i Mbretërisë së Bashkuar”, njeriu që i ndenji në krah mbretëreshës për më shumë se shtatë dekada, vdekja e tij ka trishtuar pjesën më të madhe të britanikëve.
Por me siguri asnjë prej tyre nuk është shokuar sa banorët e një fshati të humbur të Oqeanisë, në Vanuatu.
Sepse aty, Filip nuk është thjesht bashkëshorti i monarkes që formalisht drejton edhe atë cep të botës, si kreu i Commonwealth, por është i lartësuar në rangun e një zoti, edhe më i respektuar se vetë mbretëresha.
Historia e kësaj marrëdhënie të veçantë me princin Filip filloi në vitet 70, kur princi atëherë ende i ri vizitoi ishujt Vanuatu. Aty kryeplaku i fshatit Yaohnanen, në ishullin Tanna, arriti të komunikojë me princin, duke i dhuruar armët e tyre dhe orendi të ndryshme. Nga ai moment mes të dyve filloi një shkëmbim dhuratash dhe letrash, ku më së shumti Filip dërgonte fotografitë tij zyrtare, që nga ai moment ruhen me fanatizëm nga banorët, pasi vetë kryeplaku ka ndërruar jetë 10 vjet më parë.
Rreth 400 banorët e fshatit, edhe pse të izoluar kanë marrë vesh për vdekjen e 99-vjeçarit, dhe tashmë po përgatiten të nderojnë kujtimin e zotit të tyre, edhe më gjatë se 8 ditët zyrtare në Britaninë e Madhe.
Disa vite më parë, banorët kishin filluar të ndërtonin një shtëpizë për princin, në shpresën që ai një ditë do të rikthehej. “Mund të merrte edhe mbretëreshën po të donte, mund të rrinte me gratë tona”, deklaruan ata.