Historia e njeriut që 25 vite më parë vite më shpërtheu copëzat e fundit të shkëmbit në kanalin e La Manshit për të lidhur Anglinë me kontinentin europian
Nga Joe Jackson dhe Clement Melki*
Njëzet e pesë vite pas inaugurimit të tunelit të kanalit të La Manshit, Graham Fagg, britaniku që shpërtheu copëzat e fundit të shkëmbit për të lidhur Anglinë me kontinentin europian, është bërë sot mbështetës i Brexit.
“Kam punuar në tunel dhe kam bërë një punë të madhe, por në fakt unë kam votuar pro Brexit”, thotë 70-vjeçari.
Pensionisti hyri në histori më 1 dhjetor 1990 së bashku me homologun e tij francez, Philippe Cozette, fytyra e dytë e këtij bashkimi të kryer rreth 100 metra thellë nën nivelin e detit.
Më pak se katër vite më vonë, më 6 maj 1994, mbretëresha Elizabeth II dhe presidenti francez, François Mitterrand inauguruan tunelin dhe që atëherë linja hekurudhore që lidh juglindjen e Britanisë së Madhe me veriun e Francës është përdorur nga pothuajse 430 milionë pasagjerë dhe 86 milionë automjete.
Për disa britanikë, tuneli është bërë simbol i marrëdhënieve të veçanta të vendit të tyre me Europën.
Por, nëse Graham Fagg mbështeti anëtarësimin në Komunitetin Ekonomik Europian – që i parapriu Bashkimit Europian – në referendumin e vitit 1975, ai nuk e kishte imagjinuar se kjo mund të çonte në një bashkim politik.
“Ne votuam për një marrëveshje tregtare”, tha ai.
“Askush nuk më ka thënë se do të bëjmë një Europë federale, do të vendosim të gjitha rregullat dhe ju duhet t’i respektoni ato”, shton ai.
“Përshëndetje miku im”
Graham Fagg, tre herë baba dhe katër herë gjysh, jeton në qytetin port të Doverit në Anglinë Juglindore, ku 62% e votuesve votuan pro Brexit në referendumin e qershorit 2016. Pavarësisht euroskepticizmit të tij, ai dëshiron të mbajë lidhje të ngushta me Europën.
Ai ka krijuar një miqësi me Philippe Cozette, të cilin e ka takuar në disa raste. Ky i fundit duket të jetë i sigurt për post Brexit.
Në pjesën e tunelit ku bashkohen dy vendet, Graham Fagg thotë se kishte frikë se mos e dëmtonte Philippe Cozette duke shembur shkëmbin.
Sapo vrima u bë mjaft e madhe, të dy burrat hodhën çekanët e tyre dhe shtrënguan duart nën një vale përshëndetjesh dhe duartrokitjesh.
“Graham Fagg më tha në frëngjisht ‘bonjour mon ami’ dhe unë në anglisht ‘welcome to France’ duke qenë se ishim në anën franceze”, kujton francezi 66-vjeçar duke përmendur krenarinë dhe gëzimin e tij të përzier me pak pikëllim sepse puna që kishin bërë për disa vite ishte ndalur.
Britaniku ende admiron bollëkun e ushqimit dhe pijeve të planifikuara për të festuar ngjarjen në anën franceze.
“Ata kishin shampanjë, verë, ushqim dhe ne kishim vetëm çaj, kafe dhe ujë – ndoshta edhe ndonjë sanduiç në qoftë se do kishe pak fat!”, thotë Fagg.
Nostalgji
Graham Fagg kaloi pesë vite të jetës së tij duke ndërtuar tunelin midis 1986 dhe 1991 dhe gati 15 vite në mirëmbajtjen e tij që nga fillimi i viteve 2000.
Kjo ngjalli një klimë të vështirë pune mes punonjësve britanikë të alkoolizuar, të cilët u paguan nëpërmjet një sistemi bonus.
Emri i tij u zgjodh rastësisht për të marrë pjesë në momentin historik që la gjurmë në jetën e tij.
“Isha pak i befasuar kur eprorët më thane se të nesërmen do të fillonim punimet sepse ishte dita ime e pushimit dhe kisha plane të tjera”, thotë Fagg.
Mobilizimi i më shumë se 12 000 njerëzve, ndërtimi i Eurotunelit ishte një nga projektet më të mëdha inxhinierike të ndërmarrë ndonjëherë në Europë. Me rreth 38 kilometra, ai mbetet tuneli më i gjatë nëndetës në botë.
Fagg pranon se ndihet nostalgjik.
“Ishte një moment historik”, thotë ai për shtrëngimin e njohur të dorës.
“I gjithë projekti ishte një moment historik”.
*AFP