Sport Broja dhe Çekiçi: Kombëtarja A, ëndërr që bëhet realitet

Broja dhe Çekiçi: Kombëtarja A, ëndërr që bëhet realitet

Armando Broja: Ja pse ndryshoj nga sulmuesit e tjerë në kombëtare. Endri Çekiçi: Pritja mori fund, tani kam ëndrra të tjera me kombëtaren

Të veshësh fanellën kuqezi është një ndjesi e veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për atë të kombëtares së parë. Armando Broja ngjyrat kuqezi i ka mbajtur në trup dhe te kombëtaret e moshave, por grumbullimi me skuadrën e drejtuar nga Edi Reja ishte një emocion ndryshe. Në karrierën e tij ka veshur fanella të rënda, si ajo e Chelsea-t por dhe Vitesses, por ajo e kombëtares është një përjetim ndryshe.

“Kam emocione të mëdha. Jam shumë i kënaqur që jam me lojtarët më të mirë. Te U19 dhe U21 luajnë fort dhe shpejt, kështu kam qejf të luajë dhe unë këtu”.

Debutimi me Vitessen, ishte një debutim ëndrrash për të, teksa që në ndeshjen e parë mundi të realizojë por me kombëtaren debutimi është e sigurtë që nuk do të vijë që në fillim, për shkak të kartonave të marrë me 19-vjeçarët e Shqipërisë.

“Nuk është mirë, por jam me ekipin me djem të mirë. Mbase aktivizohem në takimin e dytë me Lituaninë për disa minuta. Edhe nëse nuk aktivizohem, do jem në stol. Më duhet të mësoj, është një eksperiencë e mirë. Kështu fillojnë të gjithë: luajnë fillimisht 10, 20 minuta ndeshje. Prapë kam kënaqësi të jem me ekipin e parë. E di trajneri. Kam target të vazhdojë të tregoj më shumë”.

Gjithsesi, sulmuesi shprehu dëshirën që të ketë mundësinë për të debutuar me kuqezinjtë për të treguar cilësitë e tij ndërsa shfaqi përulësi për kolegët e sulmit të kombëtares duke vlerësuar atë që kanë dhënë ata në ekip dhe duke anashkaluar peshën që mund të kenë klubet nga vijnë

“Balaj, Cikalleshi dhe Sadiku? Të tre janë të mirë. Kanë bërë shumë për Shqipërinë. Janë djem të mirë dhe lojtarë të mirë. Jam lojtar ndryshe, luaj futboll ndryshe. Jam më i shpejtë, mund t’u iki mbrapa mbrojtësve. Mund të përdor dhe dribilimin. Ata kanë bërë më shumë se unë. Kanë respekt. Duhet t’i tregoj trajnerit që të jem në kombëtare”.

Endri Çekici nuk e kishte pritur një telefonatë të Rejës për në kombëtare. Ishte në listën e pritjes, por të kalosh nga pritja në grumbullim është e papritur, por pandemia dhe bllokimi i lojtarëve si Lenjani dhe Kamberi shërbeu si asist për pogradecarin, që shfaq gjithë lumturinë e tij për thirrjen në kombëtaren e madhe.

“Siç e thatë edhe ju, kisha vite që e prisja. Është ëndërr e kthyer realitet. Tani që u plotësua ëndrra, duhet të kem ëndrra të tjera. Që nga dita e djeshme që i jam bashkuar ekipit, duhet ta tregoj pse jam këtu. Mbase trajneri mund të mbështetet tek unë. Jam i lumtur që jam këtu. Në fillim më erdhi lista e pritjes, nuk e humba besimin për asnjë moment. Po vija pas një sezoni të mirë, e nisa mirë sërish, isha i bindur që në një moment do të vinte ftesa”.

Pogradecari shprehu kënaqësi që një pjesë e lojtarëve që gjen në kombëtare, kanë ardhur nga U-21, pasojë e punës së mirë të bërë dhe te Shpresat.

“Edhe atëherë te U-21 kishim një ekip të mirë. Besoj të gjithë kishim ëndërr të luanim me kombëtaren A. Ja ku jemi sot, nuk e mendoja që do të mblidheshim të gjithë së bashku”.