Armando Broja u shfaq në konferencën për shtypin optimist në lidhje me miqësoret ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë. Ylli i kuqezinjve preku edhe tema të tjera, duke nisur nga ekipi kombëtar, aventura me Southampton ku është i huazuar te Chelsea, sirenat italiane dhe ëndrra e madhe për të dërguar Shqipërinë në Europian ose Botëror.
GJENDJA FIZIKE – “Jemi gati fizikisht si ekip, e dimë se do të jetë ndeshje e vështirë ndaj Spanjës. Grumbullimi po shkon shumë mirë, po stërvitemi mirë. Ishalla me fitore kundër Spanjës”.
MBROJTJA KUNDËRSHTARE – “Kam luajtur kundër dy mbrojtësve, por është ndeshje ndryshe. Do jetë shumë e vështirë nesër, Spanja ka ekip të fortë, por edhe ne kemi ekip të mirë. Po stërvitemi mirë, ishalla fitojmë”.
PJEKJA SI LOJTAR – “Po, jam rritur si djalë, kam mësuar te Southampton. Deri tani po më shkon shumë mirë. Të vazhdoj kështu përpara, të ndihmoj ekipin dhe të luaj më mirë për veten time. Ka qenë e vështirë të kaloja nga Vitesse te Southampton, është kapërcim i madh nga Holanda në Premier League, por kam besuar te vetja. Dua të vazhdoj përpara, e ardhmja do ketë ulje-ngritje, por dua të eci përpara duke u stërvitur mirë dhe fort”.
SPANJA – “Ne futemi në fushë për të fituar ndeshjen. Kemi ekip të mirë dhe të fortë, nuk kemi frikë asnjë ekip. Miqësoret janë të mira për të marrë eksperiencë, ishalla fitojmë ndaj Spanjës”.
SOUTHAMPTON – “Edhe e prisja dhe nuk e prisja ta nisja kaq mirë. E dija se ishte e vështirë në sezonin e parë në Premier League, por kam pasur besim te vetja. Me stërvitje dhe këmbë në tokë shpresoj të vazhdoj përpara”.
MERKATO – “Tani jam i fokusuar vetëm te Southamptoni, dua ta mbyll mirë sezonin. E ardhmja? Jam lojtar i Chelsea, nuk dua të shoh shumë përpara: thjesht dua të vazhdoj të luaj mirë dhe të stërvitem mirë”.
TIFOZËT KUQEZI – “Faleminderit shumë për mbështetjen. Vazhdoni të më mbështesni mua, FSHF-në dhe ishalla me fitore kundër Spanjës”.
KOMBËTARJA – “Kemi një grup shumë të mirë dhe trajner të mirë. Duke marrë rezultate dhe eksperiencë, mendoj se kemi një shans të mirë të futemi në Europian ose Botëror. Ishalla e arrijmë atë nivel, do ishte një gjë shumë e mirë për Shqipërinë”.