Armando Broja largohet nga Chelsea, të paktën deri në fund të sezonit. “Blutë e Londrës” arritën marrëveshjen për transferimin e sulmuesit shqiptar te Fulham.
Futbollisti u transferua në formë huazimi dhe do të qëndrojë me klubin tjetër londinez deri në fund të sezonit.
Broja zhvilloi testet mjekësore gjatë mbrëmjes dhe u zyrtarizua nga skuadra e re.
Fulham i besoi menjëherë fanellën me numrin 9, duke konfirmuar se kuqeziu cilësohet si një prej lojtarëve më të rëndësishëm për gjysmën e mbetur të sezonit.
Për të siguruar shërbimet e sulmuesit, ekipi pagoi rreth 5 milionë euro për huazimin. Prej hapësirave të pakta pas operacionit në gju, Broja ka shënuar vetëm një gol në këtë sezon të Premier League, pikërisht kundër Fulham.
“Ndihem vërtetë shkëlqyeshëm. Jam i kënaqur që iu bashkova Fulham. Po pres me padurim ta nis këtë aventurë, të takoj shokët e skuadrës, trajnerin dhe të luaj përpara tifozëve. Do të punoj fort për ekipin dhe të shënoj sa më tepër gola. E kam për nder të luaj për këtë fanellë. Kur isha 7 vjeç bëra një provë te Fulham. I kujtoj mirë ambientet e klubit, fushat dhe stadiumin me atmosferë fantastike. E kam të qartë që duhet të kthehem nga një dëmtim i rëndë. Me Fulham do të rikthehem në maksimumin tim. Do të provoj të tregoj të gjitha cilësitë e mia. Dua të jem një model për t’u ndjekur, si njeri dhe si futbollist”, u shpreh Broja.