Aktori i njohur, Bruce Willis është diagnostikuar me një sëmundje të trurit të quajtur afazi dhe planifikon të largohet nga aktrimi, sipas një njoftimi të familjes së tij.
Ky lajm u dha në një deklaratë në rrjete sociale.
“Për mbështetësit e mrekullueshëm të Bruce, si familje ne donim të ndajmë se Bruce ynë i dashur ka përjetuar disa probleme shëndetësore dhe së fundmi është diagnostikuar me afazi, e cila po ndikon në aftësitë e tij njohëse”, thuhet në deklaratën e familjes.
“Si rezultat i kësaj dhe me shumë konsideratë Bruce po largohet nga karriera që ka kaq shumë kuptim për të. Kjo është një kohë vërtet sfiduese për familjen tonë dhe ne jemi kaq mirënjohës për dashurinë, dhembshurinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ne po e kalojmë këtë si një familje e bashkuar dhe e fortë, dhe kemi dashur të njoftojmë fansat e tij sepse e dimë se sa shumë do të thotë ai për ju, ashtu siç ju për të”, thuhet në deklaratë.
Çfarë është afazia?
Afazia është një çrregullim gjuhësor. Njerëzit që vuajnë nga afazia mund të kenë probleme me të folurit, të kuptuarit, të lexuarit, të shkruarit dhe kryerjen e mbledhjeve.
Afazia më së shumti shkaktohet nga goditjet, çfarëdo dëmtimi ose sëmundje e pjesëve të trurit të cilat e kontrollojnë të folurit mund të shkaktojnë afazinë.
Këtu përfshihen: tumoret e trurit, lëndimet traumatike të trurit dhe çrregullimet.
Simptomat specifike të afazisë ndryshojnë varësisht nga vendndodhja dhe masa e lëndimit të trurit.
Personat që kanë dëmtime në pjesën e përparme të trurit mund të kenë vështirësi në të folur, por ata mund të kuptojnë më saktësi atë që të tjerët flasin.
Ata të cilët kanë lëndime në pjesët anësore të trurit zakonisht flasin rrjedhshëm, që do të thotë se ritmi i gjuhës tingëllon normal. Gjuha e tyre mund të përmbaj fjalë të gabuara apo të ngatërruara. Ata po ashtu kanë vështirësi për të kuptuar çfarë të tjerët flasin.