Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, nga Brukseli kryeministri Edi Rama u shpreh procesi i integrimit në BE nuk është thjeshtë një çështje që i përket qeverisë, por iu përket të gjithë qytetarëve.
“Në konsultimet me organizatat e shoqërisë civile, si një punë normale dhe e rregullt për çdo nismë kyçe, ne me shumë kënaqësi presim që me këto konsultime ndërveprimi brenda shoqërisë tonë do të bëhet edhe më i rëndësishëm.
Ne jemi vërtetë të gatshëm për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE. Ka qenë kënaqësi që jemi takuar dhe ditën e kemi nisur këtu së bashku nën frymën e punës së këtij komiteti, i cili ka qenë një faktor shumë aktiv dhe i hapur e dashamirës ndaj nesh. Brukseli ka zemër dhe ky është lajm i mirë”, u shpreh Rama.
Rama ka treguar edhe se cilat janë dy sfidat me të cilat përballet Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Nga Brukseli, duke ju përgjigjur gazetarëve të huaj, kreu i ekzekutivit shqiptar tha se një sfidë është plotësimi i kushteve që i kërkohet Shqipërisë. Ndërsa nga ana tjetër, institucionet e BE-së duhet të jenë gati pasi Shqipëria të ketë përmbushur këto kushte.
“Ka 2 sfida. Njëra është ajo që duhet të bëjmë ne për çfarë pritet prej nesh. Dhe sfida tjetër është me çfarë do duhet të përballemi në të ardhmen. Që do të thotë kur punon me Komisionin Europian dhe gjithçka ndodh sipas rregullave, gjithçka është e parashikuar. Por kur shkon te Këshilli Europian sfida është e paparashikueshme. Ju e dini si shkojnë gjërat, ndonjëherë ti i ke bërë detyrat e tua por kati tjetër më lartë nuk është gati as të të presë. Le të shikojmë nëse yjet do jenë të linjëzuara siç duhet që kur të jemi ne gati të jenë dhe ata gati. Për momentin ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Ka një ndryshim dramatik të kapaciteteve të BE-së për të dëgjuar. Më vjen keq që na u desh Vladimir Putini të zgjoheshin nga gjumi institucionet e BE-së”, u shpreh Rama.
Në Bruksel, kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian. Ursula Von Der Leyen do të bëjë bashkë në një drekë pune 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të enjten e 19 shtatorit.