19 pes – Në Jeruzalem, mbreti Herod përkushton tempullin e restauruar, por ofendon hebrenjtë duke vendosur një shqiponjë perandorake romake mbi hyrjen kryesore.
1208 – Shën Françesku i Asizit vendos t’ia përkushtojë jetën të varfërve. Ati i tij, Pietro, tepër i indinjuar, u përpoq për t’ia ndryshuar mendjen, së pari me kërcënime dhe pastaj me rrahje. Për këtë, Françesku e hedh babanë në gjyq; përmes procedurave ligjore para ipeshkvit të Asizit, ai mohon prindin dhe heq dorë nga pasuria (i ati i Françeskut ishte tregtar i pasur).
1387 – Mbreti Charles III i Napolit dhe i Hungarisë vritet në Buda. “Buda” dhe “Pest” bëjnë “Budapest” – qytet i bashkuar prej vitit 1873. Për here të parë emri i kombinuar ” Buda-Pest” dëshmohet në vitin 1831 në librin “Vilag” (“Bota”/”Drita”), nga Istvan Szechenyi. Origjina e fjalëve “Buda” dhe “Pest” nuk është e qartë; “Buda” vjen nga emri i themeluesit të saj, Bleda, vëllai i Atilas. Një shpjegim tjetër; “Buda” nga sllavishtja “voda” (ujë), përkthim nga latinishtja “Aquincum”, vendbanim kryesor romak në rajon. Edhe mbi origjinën e emrit “Pest” ka disa teori; Ptolemeu përmend “Pession” “shpellë” por edhe vend për të “pjekur” “furrë” (gëlqereje) nga gjermanishtja e vjetër.
1409 – Vdiq Dimitër Jonima, nga familja Jonima që zotëronte territore të gjera midis lumenjve Drin dhe Mat. Së bashku me fisnikët e tjerë shqiptarë ai përmendet si pjesëmarrës në Betejën e Fushë Kosovës më 1389. Pas 4 vjetësh, Jonima pësoi një tjetër humbje kur forcat osmane morën Shkodrën. Në vitin 1402, bashkë me fisnikë të tjerë shqiptarë vasalë osmanë, si Gjon Kastrioti (i ati Skënderbeut), Koja Zaharia e Tanush Dukagjini, Dimitër Jonima luftoi përkrah forcave të sulltan Bajazitit në betejën e Ankarasë ose Angoras kundër forcave Turko-Mongole të Timurit. Sulltan Bajaziti humbi. Timuri vdes pas dy vjetësh, dhe perandoria osmane e rimerr veten. Princ Jonima behet vasal i Venedikut. Pas vdekjes, zotërimet e Jonimas u bënë pjesë e Principatës së Kastriotit. Anëtarë të tjerë të familjes Jonima janë përmendur më vonë në rajonin e Shkodrës, por ata kurrë nuk arritën famën e Dimitrit. Edhe shumë kohë pas vdekjes së tij, në vitin 1431, pas disfatës së Gjon Kastriotit nga forcat osmane, tokat e marra prej Gjon Kastriotit dhe që dikur i përkisnin familjes Jonima, u regjistruan nga osmanët si “vilajeti i Dhimitër Jonimas”. Emri i fshatit Gjonëm afër Laçit thuhet se e ka prejardhjen nga famija Jonima (Gonoma, Guonimi, Ghionoma, Gjonëmi).
1510 – Papa Julius II çkishëron republikën e Venedikut. Papa Julius II njihet për angazhimin e Mikelanxhelos për të pikturuar tavanin e Kapellës Sistine dhe për themelimin e Gardës zvicerane për mbrojtjen e tij personale. Papa Julius ishte i vendosur për të rimarrë kontrollin mbi të gjithë territoret nga shtete rivale të tilla si Republika e Venedikut. Duke shpallur synimin e tij për ta zvogëluar Venecian në statusin e një fshati peshkimi, Papa Julius krijoi aleancë me Louis XIII të Francës, me perandorin romak Maximilian, dhe mbretin Ferdinand II të Aragonës, dhe deklaroi me dekret çkishërim e Republikës e Venedikut.
1582 – Papa Gregori XIII njoftoi shpalljen e një kalendari të ri, i cili përdoret sot. Kalendari u quajt Gregorian, dhe zëvendësoi Kalendarin Julian i shpallur nga Jul Cezari në vitin 45 pes.
1786 – Lindi Wilhelm Grimm, autor gjerman, më i riu i vëllezërve Grimm, të njohur për përmbledhjen e përrallave të tyre. Thonë se gjatë gjithë jetës, dy vëllezërit Wilhelm dhe Jakob Grimm ishin thuajse të pandashëm; shtëpi të përbashkët, dhomë të përbashkët, tryezë pune të përbashkët, bibliotekë të përbashkët; edhe librat me autorësi të përbashkët.
1852 – Shkrimtari rus Nikolai Gogol, i ndikuar nga prifti fanatik Konstandivoski, djeg dorëshkrimin e vëllimit të dytë të romanit Shpirtra të Vdekur. Gogol vdiq 10 ditë më pas.
1917 – Britania publikon “Letrën e Zimermanit”, një mesazh i shifruar dërguar nga Gjermania për ambasadorin e saj në Meksikë ku flitej për një aleancë të mundshme Gjermani-Meksikë nëse SHBA-ja hynte në luftën e parë botërore. Si shpërblim Meksika do të merrte Teksasin, Nju Meksikën dhe Arizonën. Publikimi i mesazhit e ktheu opinionin publik amerikan kundër Gjermanisë.
1917 – Shpërthen Revolucioni rus. Ngjarjet që pasuan do të preknin të paktën gjysmën e botës dhe do të vinin gjysmën tjetër në pozita mbrojtëse.
1924 – Parlamenti grek e shpall vendin Republikë.
2008 – Fidel Kastro del në pension pas gati 50 vjetësh si Presidenti i Kubës. Vendin e zë Raul Kastro, vëllai i Fidelit.