Gianluigi Buffon është ende i etur për të bërë “luftë”. Fakti se ka mbushur 40 vjeç nuk e ka bërë atë të “ulë krahët”. Përkundrazi, në këtë moshë, ai vendosi të provojë një tjetër eksperiencë, mbas asaj bardhezi, që e shndërron në legjendë. Kaloi te PSG-ja, duke e larguar në kohë pensionimin.
Pas kaq shumë vitesh në majë me Juventusin, çfarë mund të mësojë Buffon te PSG?
PSG është absolutisht ndryshe nga ajo, me të cilën isha mësuar. Është një përvojë e re dhe si e tillë më jep entuziazëm të madh. Më bën të lumtur. Gjithashtu, më përmirëson në aspektin profesional dhe njerëzor. Me eksperienca të ndryshme grumbullon një bagazh më të madh në të gjitha nivelet.
A është futbolli francez shumë i ndryshëm, sidomos pas një karriere të gjatë në Itali?
Po je gati të mësosh, nuk është aq e vështirë në jetë. Unë mendoj se kam ardhur deri këtu përmes konceptimit serioz të futbollit, punës, sportit. Kjo ka qenë diçka thelbësore për t’u bërë ky që jam. Kur largohesh nga Juventusi dhe Italia e kupton se ka një mënyrë tjetër për ta kuptuar futbollin. Dhe ky rast është PSG. Këtu shoh një model shumë profesional në nivel organizativ, si klub. Ka objektiva të mëdhenj, por me një mënyrë krejt tjetër të jetesës. Është një jetë krejtësisht e ndryshme nga ajo e Italisë. Pastaj, ju e kuptoni se nuk ka një rrugë të vetme për të arritur qëllimin, por ka shumë.
A mendoni se PSG respektohet si Juve apo Real Madridi, Barcelona apo Bayern Munich?
PSG ka një histori, që nuk mund të jetë si e Juventusit, Real Madridit apo ekipeve të tjera të mëdha. Sidoqoftë, ka të tashmen dhe një të ardhme, që me siguri do të jetë pranë asaj të Juventusit, Real Madridit apo Barcelonës. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. E kaluara ka të bëjë, por ajo që ka rëndësi është e tashmja dhe e ardhmja, çfarë mund të arrini. Dhe PSG mendoj se po hedh themelet e një të ardhmeje të madhe.
Ju mendoni se mund të fitoni Champions-in, por a ka presion të tepruar?
Që PSG të fitojë Champions-in, kjo është diçka që përmbushet në pesë, ose gjashtë vite. Është një klub i ri, që po punon për t’u afruar me këtë trofe. Nuk mund të jetë një obsesion, por një stimul i madh, që të na japë shumë energji për t’u përmirësuar, për të rritur nivelin e performancës, për të punuar, për të vendosur një tullë tjetër në krahasim me atë që ishte bërë në të kaluarën.
Ju e keni matur veten, ose luajtur me më të mirët. A mundet që Neymar të jetë një prej tyre?
Neymar mund të bëhet numri një. Unë kurrë nuk kisha punuar me të, gjithmonë e kisha parë atë si rival. Nga pikëpamja teknike është në nivele të pabesueshme. Më pëlqen të shoh lojtarë të tillë të mirë. Ti e kupton se të gjitha paratë që shpenzojnë njerëzit për një biletë ndeshjeje është për lojtarët si ai, për të parë se çfarë është i aftë të tregojë në fushë. Te PSG, përveç cilësisë së tij të jashtëzakonshme, kemi lojtarë të tjerë të mëdhenj. Nuk po kushtëzohem vetëm te Kylian Mbappe, i cili është një fenomen absolut në nivelin e Neymar. Ka edhe të tjerë, që na bëjnë të mendojmë se mund të marrim më të mirën në Champions. Ne kemi dy yje dhe një grup lojtarësh të fortë, kjo na jep shumë forcë.
Si merren vesh dy yje si Neymar dhe Mbappé?
Personalisht mendoj se ata janë bërë për njëri-tjetrin. Janë dy lojtarë që, mbi të gjitha, kanë shumë ndjeshmëri mes tyre. Ato kanë karakteristika të ndryshme. Neymar është më shumë një driblues i zonave të ngushta, i aftë për numra të pabesueshëm me topin. Kylian është një djalosh me shumë fuqi, driblim, shpejtësi… Ata janë plotësues. Nëse janë të zgjuar, në dhjetë vitet e ardhshme “Topi i Artë” mund të ndahet mes tyre.
A e shihni Neymarin të vendosur për të qëndruar në Paris?
Thashethemet janë pjesë e madhështisë së lojtarëve. Nëse një futbollist është i madh dhe i ri, është normale që gazetat të flasin për të. Njerëzit, tifozët e futbollit, duan të lexojnë për atë, të ëndërrojnë, të imagjinojnë se ekipi i tyre mund ta marrë një lojtar të tillë. Është normale, por e vërteta është se vullneti i Neymar dhe Mbappé është që të fitojnë me PSG.
A mendoni se mund ta fitojnë “Topin e Artë” duke qenë pjesë e PSG?
Po, mund ta fitojnë “Topin e Artë” këtu. Ne luftojmë për gjëra të rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse mund ta bëjnë këtë.
Si e shihni tani Juventusin me Cristiano Ronaldon? Gjithkush e vendos atë në mesin e favoritëve për Champions…
Juventusi është shumë i fortë. Në katër apo pesë vitet e fundit ka qenë në nivel europian. Këtë vit është edhe më shumë, sepse ka marrë një lojtar të pabesueshëm. Ronaldo ka hyrë shpejt në mekanizmin e një ekipi shumë të fortë, që ndoshta i mungonte vetëm pjesa e fundit. Dhe ky është ai. Juve është një kandidat për ta fituar Champions-in. Nuk e di nëse Real Madridi do të triumfojë edhe këtë sezon, gjë që do të ishte një anomali, diçka e jashtëzakonshme. Ajo që di unë është se gjithmonë duhet t’i merrni parasysh ato dy skuadra.
Dhe cilët janë favoritët tuaj në Champions?
Juve, si një ekip, është më i fortë. Vlera e tij është si e Real Madridit, Barcelonës, Manchester City… Në Champions, askush nuk është i sigurt për ta fituar trofeun. Janë gjithmonë tri, ose katër ekipe më të forta. Pastaj, fitimi ose jo varet nga detajet e vogla.
A prisnit që Cristiano Ronaldo të largohej nga Real Madridi për të shkuar te Juve?
Nuk isha i habitur, sepse e kuptoj se dëshira e një kampioni si ai është të ndryshojë, të kërkojë sfida të tjera… Pas kaq shumë vitesh në të njëjtin vend, ke nevojë për motivime dhe sfida të ndryshme. Unë mendoj se ka qenë ky shkaku i kësaj lëvizjeje.
Në të njëjtën kohë, ju u larguat… A nuk jeni të zemëruar që nuk luani dot me të?
Ai arriti te Juve, ndërsa unë u largova. Do të ishte mirë të luaja me një kampion si ai, por kam ardhur këtu dhe kam gjetur lojtarë të tjerë të mëdhenj si Neymar, Kylian, Thiago Silva, Verratti. Lojtarë të mëdhenj, që më bëjnë të lumtur në të njëjtën mënyrë.