Në kulmin e krizës që shkaktuan temperaturat e acarta që mbërthyen Teksasin këtë javë, vëmendjen e mediave e tërhoqën një çift shqiptarësh nga Kosova për gjestin e tyre tepër human.
Bujaria e një çifti shqiptar në Teksas ka pushtuar mediat amerikane. Ari Isufaj dhe Blinera Shureca hapën dyert e restorantit të tyre “Bella Italia” në veri të Teksasit, shtet i goditur rëndë nga stuhia e motit të ftohtë, duke ofruar ushqim falas për banorët e lagjes së tyre, në kushtet kur ata vuanin për ngrohje dhe ujë për shkak të mungesës disa ditore të energjisë elektrike.
Pavarësisht se në biznesin e tij nuk kishte elektricitet, shqiptari nga Kosova, përdori sobat me gaz për të përgatitur mbi 500 vakte me ushqim, të cilat i shpërndau për njerëzit në nevojë.
“Zgjodhëm lazanja dhe spageti sepse ishin dy ushqimet më të lehta për t’u gatuar me gaz. Ne nuk patëm energji elektrike. Njerëzit këtu më thonë se ishte ushqimi i parë i ngrohtë në 3 ditë. Kjo është diçka që nuk mund ta përshkruaj”, tha ai.
Një kliente e rregullt e restorantit “Bella Italia” tha se nuk kishte elektricitet prej 41 orësh, ndërsa nuk është befasuar nga bujaria e Isufajt dhe e ekipit të tij, pasi gjithmonë kanë ndihmuar njerëzit në nevojë.
“Janë njerëz specialë dhe nuk kisha asnjë dyshim se nëse vija këtu dhe ata shihnin njerëz në nevojë, ata do t’ua plotësonin të gjitha nevojat”.
Vetë shqiptari thotë se bëri gjënë e duhur në këtë dimër të acartë. Ai e konsideron një mënyrë falënderimi për të gjithë komunitetin që i mbajti hapur biznesin gjatë periudhës së vështirë të pandemisë koronavirus.
“Kur u goditën nga COVID-i, klientët tanë realisht na mbështetën. Menduam se do e humbnim biznesin, por klientët tanë u dyndën dhe ja ku jemi. Tani që u prekëm nga acari menduam të ndihmonim fqinjët tanë”.
Ari Isufaj, 35 vjeç, është refugjat i kohës së luftës dhe u largua nga Kosova në vitin 1999 duke udhëtuar drejt Teksasit në SHBA në moshën 14 vjeçare. Ai përkujton për mediat amerikane momentet e para të mbërritjes në SHBA ku qytetarët të ndryshëm e kishin ndihmuar me veshje, pavarësisht se nuk e njihnin.
Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës natyrore në Teksas, pasi acari me temperatura minus 18 gradë celsius la pa energji e ngrohje 3.3 milionë banesa, mes të cilave 80 akoma nuk po furnizohen për shkak të dëmtimit të linjave. Mbi 60 persona kanë humbur jetën nga moti i ftohtë i pazakontë në gjithë vendin.