Në futboll ka arsye pa fund për të polemizuar e për t’u ankuar, por nëse Argjentina u vodh hapur nga arbitrat në gjysmëfinalen e Copa America kundër Brazilit, Anglia në futboll për femra ka gjetur diçka tjetër për t’u ankuar, pas humbjes ndaj Amerikës, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Ylli i kombëtares amerikane, Alex Morgan, shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Anglisë të martën në mbrëmje dhe pas golit festoi duke imituar anglezët, kur pinë çaj.
Një festim i shkurtër, për humor, por që është pritur shumë keq në Angli. Polemika pa fund, kritika ndaj bukuroshes amerikane, që në fakt nuk është se bëri ndonjë gjë aq të rëndë saqë tifozë të ndryshëm anglezë në rrjetet sociale ta ofendonin e të përmendnin edhe sulmet terroriste ndaj Kullave Binjake.
Sa për pak sfond historik, Morgan ktheu orën pas, në vitin 1773, kur amerikanët protestuan ndaj ligjeve britanike duke derdhur çaj në portin e Bostonit dhe duke dhënë shkëndijat e para të Luftës për Pavarësi.