Aktualitet Bullizohej në TikTok, vetëvritet nëna e 4 fëmijëve

Bullizohej në TikTok, vetëvritet nëna e 4 fëmijëve

Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve, 1 vajzë dhe 3 djem, i ka dhënë fund jetës dy ditë më parë në banesën e saj. Familja Loka me origjinë nga Dibra jeton prej disa vitesh në lagjen Stalla të Sukthit në një banesë 2-katëshe.

Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se 41 vjeçarja jetonte me 3 djemtë e saj, ndërsa bashkëshorti ishte në Greqi, emigrant. Një fqinjë e saj shprehet se ishte grua shumë e mirë dhe punonte shumë për të mbajtur familjen.

Dëshmi të tjera jashtë kamerës flasin për një video që ishte kthyer në meme për viktimën, e cila dyshohet se është hedhur në rrjetet sociale nga një kushërirë e saj.

Policia e Durrësit bën të ditur se e ndjera që në dhjetor të vitit 2022 kishte bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Më tej sqarohet se çështja është në hetim në prokurori, duke pretenduar se pas këtij kallëzimi nuk ka pasur as ndonjë kallëzim të ri apo shqetësim nga 41-vjeçarja.

Hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje tejet të rëndë po vijojnë, ndërsa burime nga spitali kanë sqaruar se viktima nuk ka qenë paciente që ndiqej me mjekim për sëmundje që kanë lidhje me shëndetin mendor.