Bundesliga rikthen e para magjinë e futbollit pas më shumë se dy muajsh mungesë për shkak të COVID-19. Në kampionatin elitar gjerman u luajtën këtë të shtunë shumica e ndeshjeve të javës së 26-të, mes të cilave spikaste derbi i Ruhrit mes Borussia Dotmundit dhe Schalkes 04. Një derbi pa shumë histori në spektin e antagonismit dhe i dominuar totalisht nga verdhezinjtë, që fituan me rezultatin e thellë 4-0.
Klima ishte surrealiste, por ata që kishin një dëshirë të madhe për futbollin nuk u zhgënjyen. Derbi Ruhrit ishte një mundësi për të rikthyer dhe përjetuar emocionet që vetëm një lojë futbolli mund të japë. Pas ndalesës së gjatë, të imponuar nga një situatë që deri para disa muajsh do të kishte qenë e vështirë të imagjinohej, ia arriti qëllimit.
Erling Haaland zhbllokoi rezultatin që në minutën e 29-të, i shërbyer në perfeksion në qendër të zonës nga Hazard. Talenti norvegjez rezulton gjithashtu të jetë autori i golit të parë të Bundesligës pas pauzës së gjatë.
Dortmundi shkoi në dhomat e zhveshjes në epërsi të dyfishtë, pasi portieri Schubert gaboi në rinisjen e topit, duke ia dorëzuar Brandt, që i dha mundësi Guerreiros të shkundte për herë të dytë rrjetën e Schalkes brenda pjesës së parë.
Dominimi i Dortmundit, që dukej se ishte përgatitur shumë më mirë gjatë kësaj periudhë, u pa qartë edhe në fraksionin e dytë, me Torgen Hazard dhe sërish Guerrieron që vulosën shifrat në 4-0.
Në takimet e tjera spikati fitorja 0-3 e Herthas së Berlinit në fushën e Hoffenheimit (Agpoguma aut 58’, Ibisevic 60’, Cunha 74’). Wolfsburgu arriti të mposhtë në kohën shtesë Augsburgun 1-2 (Jevdaj 54’/Steffen 43, Glinczek 90+1’), ndërsa dy sfida të tjera përfunduan në barazim: Leipzig – Freiburg 1-1 (Pulsen 77’/Gulde 34’) dhe Dusseldorf – Paderborn 0-0.