Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Rudolf Merollin, i cili u denoncua nga e bija për ngacmim seksual.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, e cila u mbajt me dyer të mbyllura, prokuroria i ka kërkuar gjykatës që deri në përfundim të procesit Merolli të qëndrojë i izoluar në burg.
Avokati i 37-vjeçarit, ka insistuar në thellimin e hetimeve dhe kryerjen e ekspertimit të bisedave erotike të regjistruara nga 18-vjeçarja, të cilat implikojnë të atin.
Po ashtu pala mbrojtëse kërkoi që për të akuzuarin dhe vajzën e tij të bëhen ekzaminimet dhe analizat përkatëse, për të vërtetuar se të dy mbrëmjen që ndodhi ngjarja kishin konsumuar lëndë narkotike.
Vetë i akuzuari i ka mohuar para gjykatës akuzat, duke deklaruar se atë natë kishte konsumuar lëndë narkotike në sasi te madhe dhe ka qenë i pavetëdijshëm. 37-vjeçari nuk pranoi të ketë ngacmuar me biseda erotike të bijën dhe as ka kryer veprime ndaj saj.
Por vajza e tij 18–vjeçare publikoi disa biseda të përgjuara dhe tregoi në një intervistë për Tv Klan se veç ngacmimeve, i ati ushtronte dhunë prej kohësh ndaj saj dhe nënës.