Bota Burg përjetë për “Kasapin e Bosnjes”, Biden e cilëson si gjykim historik

Burg përjetë për “Kasapin e Bosnjes”, Biden e cilëson si gjykim historik

Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar pas dënimit të përjetshëm për Ratko Mladiçin, duke e quajtur atë si historik.

Biden mirëpriti vendimin dhe tha se “ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhin në të ardhmen kudo në botë”.

Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në udhëheqjen e përpjekjeve ndërkombëtare për t’u dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të vënë para drejtësisë ata që kryen krime atje dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme.

“Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj se udhëheqësit në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, tha ndër të tjera presidenti Biden.

Dënimi

Ish-Komandanti i forcave serbe, Ratko Mlladiç ka dalë i humbur nga apelimi i vendimit të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara, që e dënoi me burgim të përjetshëm në vitin 2017.

Trupi gjykues la në fuqi vendimin e mëparshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë në vitin 1995.

Masakra ndodhi në një zonë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe është konsideruar si krimi më i madh i ndodhur në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mlladiç ishte një nga të fundit të arrestuar për Masakrën e Srebrenicës.

Në fund të luftës në Bosnje, në vitin 1995, Mlladiç u fsheh në Serbi dhe jetoi në arrati, i mbrojtur nga familja e tij dhe nga elemente të shërbimeve sekrete serbe.

Ai u gjet në shtëpinë e disa të afërmve të tij në veri të Serbisë në vitin 2011. Para Mlladiç, e njëjta gjykate kishte dënuar liderin e serbëve, Radovan Karaxhiçin, i cili konsiderohej si arkitekti i masakrës së Srebrenicës, mes masakrave të tjera që kishte kryer.