Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën me gazetarët u shpreh se mosbindja civile do të jetë një aksion kombëtar ku do të përcaktohen të gjitha masat për realizimin e qëllimit që është krijimin e qeverisë teknike.
Në një konferencë online për shtyp me gazetarët, Berisha theksoi se Partia Demokratike nga data 6 tetor do të kalojë në sulm për një betejë të pandalshme.
“Së pari do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë, e cila ishte 100% e programuar dhe planifikuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Deputetët e opozitës do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe ti kërkojë nevoja, ku të japin më shumë në këtë betejë. Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto, betejë, betejë dhe vetëm betejë.
Partia Demokratike nga data 6 kalon në sulm, në një betejë të pandalshme. Përqendron të gjithë potencialin e saj në sulmin ndaj narkokraturës dhe për qeveri teknike. Mosbindja civile është një univers masash të përshkruara me hollësinë manual të mosbindjes civile. Do të përdoren të gjitha ato masa deri në realizimin e qëllimit të plotë, krijimin e qeverisë teknike”, tha Berisha.
Berisha e konsideroi shpallje lufte nga kryeministri Rama burgosjen e deputetit demokrat Ervin Salianji, që u dënua me një vit burg.
Berisha tha se burgosja e Salianjit ishte një mbrëmje e keqe për të gjithë shqiptarët, por ishte një natë feste, tha ai, për vëllezërit Xhafaj dhe mafian në Shqipëri.
“Mbrëmë, nënkryetari i grupit parlamentar të PD, një deputet i ri, guximtar, i cili nuk ka patur ndonjëherë poste të rëndësishme zyrtare, përveç detyrës, misionit fisnik të besuar nga qytetarët dhe PD, si deputet i zgjedhur i tyre dhe nënkryetar grupi, u burgos me urdhër të Edi Ramës në një hark kohor maksimalisht të shkurtër nga dhënia e verdiktit antikushtetues, antiligjor, të gjykatës së kontrolluar fund e krye nga Edi Rama.
Kjo natë të cilën Ervin Salianji e kaloi në qelitë e burgut vetëm e vetëm se guxoi tu thotë shqiptarëve të vërtetën e vëllazërisë famëzezë Xhafa, të lidhur kokë e xhep me Edi Ramën. Është një natë e zezë për të gjithë shqiptarët të cilët besojnë tek e vërteta, të cilët jetojnë, rrisin fëmijët e tyre, pavarësisht nga bindjet politike, me mundin, djersën dhe ndershmëri, të cilët konsiderojnë trafiqet e drogës dhe kriminale, konsiderojnë lidhjet e pushtetit me trafiqet dhe krimet, si një nga kërcënimet më serioze të tyre, fëmijëve të tyre dhe vendit të tyre.
Por kjo ishte një natë feste për vëllazërinë Xhafaj, vëllazërinë Bajraj, dhe të gjitha vëllazëritë e mafias dhe drogës në Shqipëri, sepse ato panë të gozhduar, panë në pranga, panë në qeli, deputetin e ri guximtar që u provoi shqiptarëve se Geron Xhafaj, jo vetëm ishte i dënuar në Itali, për trafik ndërkombëtar droge dhe ndiqej në Venezuelë, jo vetëm se fshihej në Vlorë ndaj kërimit ndërkombëtar, i mbrojtur nga vëllaçkoja i tij dhe kontrollonte lojërat e fatit. Sepse këto diheshin.
Por Ervin Salianji u faktoi shqiptarëve nëpërmjet publikimit të regjistrimit të një gazetari të guximshëm se vëllazëria Xhafaj me Geronin vazhdoni trafiqet nga porti i Vlorës dhe se pushteti i drogës dhe krimit të Edi Ramës, pasi zëvendësoi Saimir Tahirin dhe Habilajt e tij, u dha ‘karta bianka’ vëllazërisë Xhafaj, e cila përveç trafiqeve dominonte me Olsin, lojërat e fatit. Po kjo ishte një festë për mafian e drogës shqiptare, kudo që ndodhet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dubai, Meksinë dhe Bruksel e kudo”, u shpreh Berisha.