Në një intervistë në Top Channel, ish-ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, njeriu që ishte në Tiranë në zhvillime të ethshme politike, siç 21 Janari, e që quajti Berishën si “burrë shteti” e Bashën si “yll në ngjitje”, shprehu konsiderata jo fort pozitive për të dy, duke gjykuar nga zhvillimet e kohëve të fundit, të cilat kanë patur si epilog dorëzimin e mandateve nga opozita.
“Unë besoj se në disa raste Z. Berisha fajësohet për gjëra të cilat nuk janë plotësisht përgjegjësi e tij. E kam thënë edhe më parë që unë besoj se ai ka dhënë kontribut të shkëlqyer për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Shqipërisë, por ai ka krijuar edhe shumë probleme. Dhe unë besoj se një prej problemeve të tij kryesore është qasja e tij tërësisht kundërshtuese në politikë. Kështu që, nuk besoj se ai do të ndryshojë, nuk besoj se ka ndryshuar sot, por gjithashtu nuk besoj se është e drejtë që Z. Berisha të fajësohet për gjithçka. Z. Basha është kreu i partisë dhe ai ka shumë përgjegjësi. Në një moment të caktuar perëndimi kishte besim tek Z. Basha. Mendoj se një pjesë të mirë të këtij besimi e ka humbur”, tha Arvizu.
Nga ana tjetër, ai la të kuptuar se nuk është i kënaqur as me cilësinë qeverisëse të Ramës.
“Siç e dini në 2013, me zgjedhjet historike për të cilat kam folur shumë herë, erdhi mandati i parë i Ramës.
Mendoj që pritshmëritë e njerëzve ishin shumë të larta. Mund të kemi një diskutim më vete se sa e suksesshme ishte qeveria në përmbushjen e pritshmërive të njerëzve. Por pati zgjedhje të tjera në 2017 dhe këtë radhë socialistët fituan sërish. Dhe ky ishte mandati i dytë i Ramës. Këtë radhë pa partnerin e koalicionit, LSI. Kështu mendoj se sërish pritshmëritë ishin shumë të larta. A i ka përmbushur qeveria pritshmëritë e njerëzve? Mbase ma thua ti. Nuk e di, po ndjesia ime si zakonisht është se rezultatet janë mikes; ka pasur disa gjëra që janë të mira siç mund të ketë dhe gjëra që të jemi të sinqertë mund të shkojnë më mirë”, theksoi Arvizu.