Vrasja e bashkëshortes nga Ruzhdi Tosuni të bashkëshortes së tij Hajdie Tosuni ka qenë krejtësisht e papritur për familjarët.
Abc News ka siguruar dëshminë e dhëndrit të madh të familjes, i cili mohon që çifti të ketë patur konflikte të mëparshme dhe aq më pak vrasja të ketë qenë për shkaqe xhelozie.
“Shkak ka qenë një konflikt i çastit. Thjesht debat prej tensionit të momentit. Kanë qenë shumë normal me njeri-tjetrin. Madje dje piva kafe me Ruzhdiun”, tha Kastriot Berisha.
Më tej, ai shtoi se gjithçka ishte e papritur për ta.
Ruzhdi dhe Hajdie Tosuni kishin tre vajza nga martesa e tyre e gjatë.
Mësohet se çifti është konfliktuar fillimisht dhe gjatë debatit bashkëshorti Ruzhdi Tosuni 63 vjeç, ka goditur fillimisht Hajdien me një levë hekuri, ndërsa më pas e ka qëlluar edhe me gërshërë.
Pas krimit, ai ka mbyllur qepenin e dyqanit ku punonin bashkë dhe ka shkuar për të blerë cigare. Më pas ka hyrë në farmacinë pranë biznesit të tyre duke i thënë të pranishmëve që kishte vrarë gruan.
Ruzhdi Tosuni është ulur në hyrje të biznesit duke pirë cigare, ndërkohë që policia vinte në vendin e ngjarjes.