Aktualitet Burri vrau kunatin, flet gruaja e autorit: Nuk besoj se vëllai im...

Burri vrau kunatin, flet gruaja e autorit: Nuk besoj se vëllai im abuzoi me 18-vjeçaren

Gruaja e 50-vjeçarit Fatmir Tarellari që vrau kunatin e tij Erion Pelivani 33 vjeç në Greqi, thotë se nuk beson që vëllai i saj të ketë abuzuar seksualisht me 18-vjeçaren.

Në një intervistë për mediat greke, ajo ka thënë se bashkëshorti nuk duhej t’i kishte vrarë vëllain.

“Çfarëdo që mund të ketë ndodhur, ka ligj, nuk duhej t’i kishte bërë ato gjëra. Kemi një vajzë bashkë që tani është 10 vjeç. Unë nuk dija asgjë. Vajza pësoi atë çfarë pësoi dhe e tha tani, na mbylli derën e shtëpisë. Këtë krim që bëri im shoq nuk duhej ta bënte. Askush nuk ka të drejtë të vrasë askënd. Kam duruar gjithë këto vite, i rrita fëmijët e tij. Vajza e tij vinte në shtëpi dy herë në javë. Nuk besoj se vëllai im i ka bërë gjë asaj”, u shpreh gruaja e autorit dhe motra e viktimës.

Ajo shkon më tej duke hedhur akuza edhe në adresë të bashkëshortit.

“Ai nuk është njeri i mirë, gënjeu, është ekspert për të gënjyer. Unë që jetoja me të e kuptova vonë. Nxehej shpejt, nuk ishte as baba i mirë, i linte fëmijët dhe shkonte për gjueti. I flisja por nuk më dëgjonte”, shtoi ajo.

Ndërsa banorët e zonës e kanë përshkruar autorin si një njeri të qetë, punëtor dhe familjar.

50-vjeçari Fatmir Tarellari ka 3 fëmijë nga martesa e parë, ndërsa me gruan e dytë ka një vajzë 10-vjeçare.

Dy ditë më parë ai vrau kunatin Erion Pelivani pasi vajza 18-vjeçare nga martesa e parë i tregoi se ishte abuzuar seksualisht prej 33-vjeçarit Pelivani për disa vite me radhë dhe se ai e shantazhonte për t’i marrë para në këmbim të mospublikimit të disa videove imorale që i kishte bërë.

I ati i vajzës, Fatmir Tarellari, pasi mësoi këtë gjë nga e bija, shkoi dhe u përball me kunatin duke e vrarë me çifte. Më pas u dorëzua vetë në policinë greke duke rrëfyer krimin që kishte bërë dhe motivin.