ALPEX është Bursa e parë Shqiptare e Energjisë që do të shërbejë dhe për Kosovën. Zv/Kryeministrja Belinda Balluku, e pranishme në aktivitet, vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Energjisë për krijimin e kësaj burse që është e dyta në rajon.
“Sot jem këtu për të kurorëzuar një punë 5-vjeçare, e cila në disa momente dukej si e pamundur por viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit një bursë energjetike për Shqipërinë dhe Kosovën. Ja ku jemi për të lançuar ankandin e parë të ALPEX dhe për të dhënë një mundësi që brenda 12 muajve të arrijmë të kemi dhe 3 ankande ditore duke kompletuar të gjithë këtë proces. Ky është vetëm hapi i parë, kemi një bursë energjetike e dyta në rajon që i përket Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës”.
Por, sipas Ballukut, ky ishte vetëm hapi i parë dhe tani fillon një betejë e re për të krijuar likuiditetet me prioritetin për të mbrojtur konsumatorët finalë nga çmimi i energjisë elektrike.
“Askush nuk mund të thotë që mbaruam. Tani fillon një luftë e re për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo bursë, pa harruar që ne prioritet kemi mbrojtjen e konsumatorit final nga çmimet marramendëse të tregut. Siguria energjetike është qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare. 2022 trergoi dhe njëherë se arma më e fuqishme për të goditur një shtet, një kontinent, ishte energjia. Siguria energjetike është çelësi i mbrojtjes së sovranitetit të një vendi”, tha ndër të tjera Balluku.
Të pranishëm në aktivitet kanë qenë edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe zyrtarë nga Kosova.