Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht ish-ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati në fjalën e mbajtur sot nga foltorja e kuvendit, shprehu kundërshtimin e tij të fortë lidhur me kontratën koncesionare në Porto Romano, duke iu tërhequr vëmendjen socialiste se në këtë mënyrë janë duke i kthyer shpinën shqiptarëve.
“Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri pa garë, pa procedurë dhe pa ligj, në një kohë shumë të vështirë.
Z. kryetar, jam 100 % dakord me fjalët që ju thatë në fillim të kësaj seance, se ne nuk jemi zotër të këtij vendi dhe se duhet të tregohemi të kujdesshëm me liritë politike dhe ekonomike të qytetarëve që përfaqësojë. Nëse do t’i qëndrojmë këtyre fjalëve, do t’ju lutesha sot mos ta votojmë këtë kontratë, t’i japim kohë vetes për të bërë analizën më të mirë të mundshme, sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, jemi forcë e qendrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re.
Nuk kemi asnjë tagër për të marrë vendime për 30 vitet e ardhshme, na duhet një strategji për detin. Deti është pronë e përbashkët, në komunizëm ishte i pashfrytëzuar, sot çdokush duhet të dijë se ç’bëhet me vijën bregdetare, sa porte ndërtohen.
Me këtë kontratë po synohet që portit të hidrokarbureve t’i ndryshohet në thelb objekti. Nuk ka nevojë të jesh prokuror apo jurist për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti dhe minimalisht ne sot duhet të kishim këtu një projekt fizibiliteti, aq më tepër kur këto shërbime i ofron porti i Durrësit. Nuk kemi pse ja heqim Durrësit dhe ja japim privatit. Shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë doganierin apo kontrollin. Nëse doni ta bëjë privati, fare le ta marrë privati. Çfarë fiton shoqëria me këtë gjë, çfarë fitojnë fëmijët tanë me këtë gjë? Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu dhe Palasa?
Nuk i kuptojmë ne gabimet tona, ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe me taksat tona shkon rruga atje, energjia. Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelën çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por ne duhet të ndahemi me oligarkinë. Ajo është problem në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në shoqëri matet me fuqinë e institucioneve”, tha Bushati.
Ish-ministri i Jashtëm iu kujtoi socialistëve se erdhën në pushtet me premtimin se do të anulonin koncesionet por tani po rrezikojnë të bëhen më keq se PD.
“Nuk duhet të bëhemi si PD që ditën vajton dhe natën i shkel syrin oligarkëve duke iu vënë gjoba. Por nuk duhet t’i japim bonus as presidentit të republikës që të dali si garant i mbrojtjes së publikes, interesin e publikes duhet ta mbrojmë ne; ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Ne kemi ardhur në pushtet me një program në këtë kuvend dhe kemi thënë ne do ti anulojmë koncesionet”, tha mes të tjerash Bushati.
“Pse e kemi futur me procedurë të përshpejtuar, për 30 ditë, për 30 ditë nuk bëhet një studim shkencor për 30 ditë me s’kemi mundësi t’i shërbejmë qytetarëve, atyre që iu kemi kthyer shpinën”, tha Bushati.
Siç mësohet nga një dokument, shoqëria koncesionare ‘Multi Buoy Mooring’ i ka kërkuar shtetit shqiptar që të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e këtij porti duke propozuar edhe ngarkim-shkarkimin dhe përpunimin e mallrave të tjerë, pa i specifikuar.
Propozimi ka marrë miratimin e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, e cila nëpërmjet zëvendësministrit Ilir Bejtja ka firmosur shtesën e kontratës, me argumentin se shteti do të fitojë më shumë nga tarifa koncesionare.