Trajneri i Shqipërisë U-21 e pranoi se Kosova është me lart se kuqezinjtë në këtë grupmoshë dhe se Shpresave tona u mungon grinta dhe motivimi. Për këtë tema të tjera Bushi foli në konferencën për shtyp të kësaj të enjteje në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kosova? “Kundërshtarin e njohim, është i fortë dhe pretendent për t’u kualifikuar. Ata kanë një grup të lidhur, ndryshe nga ne që bëjmë shumë ndryshime, pasi furnizojmë Kombëtaren e parë. 3-4 lojtarë të Kosovës nuk dua të përmend emra, i kemi kontaktuar para dy vjetësh por, nuk kanë pranuar të vijnë me ne edhe pse për ne nuk është problem. Pika e tyre më e fortë është agresiviteti dhe dëshira që kanë për të fituar, diçka që se kanë lojtarët tanë. Ne mundohemi t’i motivojmë, por nuk e di pse nuk e kanë në gjak. Unë mendoj se Kosova është një hap më lart se ne. Po t’i shikosh lojtarët tanë, kanë më shumë cilësi se ata. Por, kjo grinta duket se e mposht cilësinë. Kosova i ka të gjithë lojtarët që luajnë titullar dhe marrin minuta”.
Tifozët? “Tifozët na kanë mbështetur, ekipin kombëtar duhet ta mbështesin, pavarësisht orarit apo kohës së keqe. Unë mendoj se me Kosovën do të ketë tifozë”.
Selmani? “Selmani mund të jetë pesë e Kombëtares A, këtë nuk e dimë ende. Në përgjithësi mendoj që lojtarët të cilët kanë më shumë minuta duhet të vijnë në kombëtare”.
Ndeshjet e zhvilluara? “Kemi bërë katër ndeshje dhe mendoj se gabimin e vetëm e kemi bërë vetëm me Andorrën. Me Turqinë kemi bërë mirë, ndërsa me Austrinë kemi bërë lojën më të dobët. Duhet të ishim më agresiv. Me Austrinë kishte gjëra pozitive, pasi kishte lojtarë që dhanë shumë. Objektivi i Shpresave është të futemi për fitore, por duhet të nxjerrim lojtarë për Kombëtaren A. Ka lojtarë si Bullari, Broja që nuk e kanë moshën për te ne. Ne i marrim, i japim minuta, por kjo ka kostot e veta, pasi ata luajnë me lojtarë tre vjet më të mëdhenj”.
Vetëm një fitore në 10 ndeshje? “Ne kemi humbur 5 ndeshje, me Francën, Italinë, Skocinë apo Austrinë. Ne duhet të pranojmë se kundërshtari është më i fortë. Ne duhet të japim maksimumin, pavarësisht forcës. Këto ndeshje shërbejnë për t’u rritur. Jemi duke u zhvilluar, kemi lojtarë shumë të mirë, por ne mendojmë për Kombëtaren A. Ne ëndërrojmë Europianin dhe mundohemi të bëjmë maksimumin”.
Kërkesat? Unë nuk kërkoj asgjë nga skuadra, përveçse faktit të luftoj. Në lojë duhet të luftosh 95 minuta, jo vetëm 5 minuta si në basketboll. Këtu kemi shumë mangësi. Duhet të pranojmë që këta janë lojtarët që kemi në dispozicion. Jemi të kënaqur, kur shohim lojtarët e Shpresave që bashkohen me ekipin A. Kjo na bën krenarë dhe shpresojmë që me Kosovën të fitojmë”.