Alban Bushi ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp, teksa trajneri i Shqipërisë U21 ka prezantuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e nëntorit, respektivisht më datë 12 në transfertë ndaj Sllovenisë dhe më datë 16 në shtëpi ndaj Kosovës. Tekniku theksoi se kuqezinjtë duhet të japin gjithnjë 200% në fushë, ndërsa shpreh bindjen se do të fitojnë ndaj Sllovenisë.
“Kemi bërë mirë këto ndeshjet e fundit dhe jam i lumtur se lojtarët më kanë ndjekur. Kanë qenë të impenjuar, pavarësisht se kundërshtari ka qenë më lart. Duhet të japim 200% se jemi modest. Objektivi jonë do të jetë vendi i dytë, por në letër Çekia, Sllovenia dhe Anglia janë më të fortë. Kemi lojtarë cilësorë, por në momentin që kemi mungesa, kemi probleme. Nëse kemi grupin e plotë bëjmë mirë. Nuk mund të kemi objektiva si Franca, qëllimi është të marrim sa më shumë pikë. Por, objektivi i Federatës është të çoj lojtarë në ekipin e parë. Kam besim se do të fitojmë në Slloveni, nëse luajmë për njëri-tjetrin mund të fitojmë. Me Andorrën nuk kemi fituar lehtë, ata kanë marrë edhe barazim me Anglinë. Janë 11 kundër 11, edhe ne kemi hallet tona si Shqipëri. Ekipit i bëjnë mirë fitoret, ka një optimizëm dhe ne jemi shqiptarë dhe duhet të qëndrojmë ku jemi dhe duhet 200% që të fitojmë kundër Sllovenisë. Me këtë mendim mund të jemi të suksesshëm, por që sukses më i madh do të jetë kur disa lojtarë të shkojnë në ekipin A.
Në rast se jemi në lojë, atëherë në mars mund të marrim edhe Kumbullën me Brojën pasi ekipi A është pushim. Këtu ndjehem mirë dhe jam krenar. Jam i fokusuar te U21, kam edhe ëndrrën për t’u kualifikuar me U21″.
Përplasje me Kosovën për lojtarë? “Kemi kontaktuar kur kanë qenë të pavendosur, disa kanë pranuar, të tjerë jo. Por, është normale. Nëse do ishte një kombëtare do të kishim një ekip shumë të fortë. Jemi më të fortë se Kosova. Sulmuesit i njoh më shpejtë, kemi probleme në mbrojtje. Shqiptarët janë më sulmues në përgjithësi”, u shpreh Bushi.