Një manita 5-1 me Austrinë në transfertë, e kompletuar më pas me një fitore karakteri 3-1 me përmbysje ndaj Andorrës, një ndeshje ku kuqezinjtë e rinj të shpresave veç cilësive, treguan personalitet, duke mos e lënë veten ta humbisnin toruan nga një gol i pësuar që në fillimin e takimit, ishin sukseset ekzaltuese të Shqipërisë U21 në këtë fillim vjeshte.
Oreksi vjen duke ngrënë dhe paraqitjet e mira kanë rritur edhe premisat për objektivat, me Shqipërinë që është ngjitur në vendin e tretë të grupit eliminator për europianin e kësaj grupmoshe, me vetëm një pikë diferencë ndaj Austrisë së vendit të dytë, por Alban Bushi qëndron me këmbë në tokë, pasi ai e di mirë se detyrë parësore për të është puna në funksion të kombëtares A.
“Prioriteti kryesor është furnizimi i ekipit të parë dhe këtë e kam thënë që kur u emërova si trajner këtu. S’i kemi lënë asnjëherë rezultatet për të shkuar larg. Jemi ekip modest, i vogël dhe s’mund të krahasohemi me Spanjën e Gjermaninë që kanë objektiva edhe për ekipet e moshave. Duhet të përqendrohemi te Kosova dhe më pas do të vlerësojmë objektivat”, u shpreh Bushi.
Muçi që debuton me dygolësh ndaj Austrisë, Sherif Kallaku lider i padiskutueshëm i një grupi, Adolf Selmani një mbrojtës që gjen rrjetën në të dy takimet, ndërsa nuk zhgënjejnë as Vrioni, Bullari, Tuci e gjithë të tjerët. Një vërshim talentesh që konfirmon pasurinë e grupit të shpresave dhe trajneri Bushi nuk mund të mos jetë i kënaqur me brumin që ka në dispozicion.
“Jam shumë i kënaqur sepse sa herë që grumbullohen 12-13 lojtarë të rinj, na e bëjnë përzgjedhjen të vështirë. Kishim 13 lojtarë e mangët dhe kjo tregon se FSHF-ja ka bërë një strategji të mirë duke krijuar kampionate dhe me ekipet kombëtare për moshat U13 e kështu me radhë. Edhe kur kemi mungesa, ato nuk ndihen. Do të thotë se do të kemi alternativa për të ardhmen dhe ekipi A nuk do të ngelet mangët”, deklaroi Bushi.
Dhe të mendosh se në këtë grumbullim trajner përballej me një lumë mungesash, disa prej të cilëve nga më të mirët e Shpresave, suksesi i arritur me të gjithë ata që i zëvendësuan denjësisht, është një tjetër burim shprese për të ardhmen.
“Ata që munguan ishin lojtarë të mirë, ndaj mendoj se ka ardhur momenti që Shqipëria do të ketë 2-3 kombëtare dhe Reja nuk e di kë do të ketë kombëtare. Jemi një Francë e vogël. Ne ku ta gjemë që nga të mirët të zgjedhim më të mirët, pasi konkurrenca bën mirë. Nuk duhen parë emrat, por duhet të përqendrohemi te kombëtarja, pasi nuk më intereson se për kë luan dhe nga vjen. Të shikoj një javë në stërvitje dhe pastaj të zgjedh”, u shpreh trajneri i Shpresave.
Megjithatë Bushi trajner është shumë më i ftohtë se sulmuesi i dikurshëm pasionant e impulsiv dhe me kostumin e trajnerit nuk ngatërron kompetencat kur pyetet se cili nga lojtarët e tij është gati për kombëtaren e parë.
“Mendoj se shumica e lojtarëve të Shqipërisë U21 vlejnë për ekipin e parë, megjithatë Reja e di më mirë se cili vlen”, u shpreh Alban Bushi.