Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka prezantuar në Komisionin e Sigurisë buxhetin e parashikuar për vitin 2023 për institucionet në varësi të saj. Në tërësi i gjithë buxheti i parashikuar është 24.1 miliardë Lekë.
Sipas ministrit, do të ketë rritje ta pagave për shumë kategori, përfshirë edhe punonjësit e Ministrisë së Brendshme në nivelin 7%.
“Në buxhetin e 2023-shin kemi pasur parasysh edhe këto pasoja, përballimin e inflacionit të luftës dhe forcimin e mbrojtjes së sistemeve të Policisë së Shtetit. Në buxhetin 2023, për Policinë e Shtetit, por jo vetëm, do të kemi rritje pagash dhe përkatësisht në lidhje me PSH, rreth 74% e numrit të punonjësve, ku përfshihet niveli bazë, rritja e pagës do të jetë 15%. Nga rritjet më të mëdha që ka pasur brenda një buxheti. Rritje pagash në 7% për Gardën e Republikës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në 13%. Rritje pagash edhe për zjarrfikësit me 7%. Së fundi, për punonjësit e tjerë të Ministrisë së Brendshme, do të kemi rritje page 7%”.
Sipas Çuçit, do të ketë rritje të investimeve edhe për mbrojtjen kibernetike.
“Kapërcim kolosal për buxhetin e mbrojtjes kibernetike. Nëse në 2022 në teknologji të brendshëm, pa donatorë, kanë qenë 72 milionë Lekë, në vitin 2023 janë 547 milionë Lekë, mbi shtatë herë rritje me 2021. Pajisje me teknologji informacioni, dhe në veçanti për mbrojtjen kibernetike. Përveç buxhetit tonë, për Policinë e Shtetit do të financojë edhe AKSHI me fondet e veta, 278 milionë Lekë”
Ministri Çuçi theksoi se vetëm për Policinë e Shtetit, janë parashikuar 19.5 miliardë Lekë, ku përfshihen rritje të pagave të punonjësve si dhe shpenzime të tjera.
“Buxheti është parashikuar në 19.5 miliardë Lekë apo një rritje 16% në raport me 2022 për Policinë e Shtetit. Edhe nga këto, tek shpenzime për personelin, shuma është 143.5 miliardë Lekë dhe një rritje me 8%. Shpenzime të tjera, mallra, shërbime, transferime, tavani është 3.4 miliardë Lekë apo një rritje 39% në raport me buxhetin e 2022. Për investimet kemi një rritje 56%, kemi parashikuar 1.2 miliardë Lekë. Dhe me financimin e huaj parashikimi është 460 milionë apo një rritje 31%”, u shpreh Çuçi.
Ndërsa për Gardën e Republikës janë parashikuar 1.9 miliardë Lekë.
“Për Gardën e Republikës, buxheti që kemi parashikuar 1.9 miliardë Lekë. Shpenzime të tjera e kemi çuar buxhetin 322 milionë lekë apo me një rritje 43% krahasuar me 2022, ku kemi përfshirë edhe trajtimin me ushqim të punonjësve të Gardës. Shpenzime të personelit prapë kemi rritje 5%, dhe shpenzime për investime parashikimi është 10 milionë Lekë”.
Pjesa tjetër e buxhetit është e parashikuar për institucionet e tjera në varësi të Ministrisë së Brendshme.