Mes tymit dhe flakës që pushtoi Parlamentin, mazhorancës i mjaftuan 5 minuta për të votuar këtë të hënë me 83 vota pro pr/ligjin për buxhetin 2024.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla nxitoi të thërriste votimin, në momentin kur në sallën e seancave plenare shpërtheu edhe një zjarr, prej tymueseve të përdorura nga deputetë e opozitës.
Për mënyrën si u votua buxheti, ish-kryeministri Sali Berisha tha për mediat jashtë sallës së Kuvendit se ishte skena më e shëmtuar në historinë 32-vjeçare të jetës parlamentare.
“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të Parlamentit. E patë vetë sesi banorët e fermës së Edi Ramës kaluan brenda 5 minutave aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit. Në mënyrë antikushtetuese e antiligjore”, tha Berisha.
Ai shtoi se mënyra si buxheti mbërriti deri në Kuvend ishte klandestin, duke iu referuar diskutimeve për projektligjet që u zhvilluan online, pas aksionit opozitar për të paralizuar punimet e komisioneve parlamentare.
Sipas Berishës, socialistët votuan në tmerr, pasi ligjëvënësit opozitarë ia bënë të pamundur ligjërimin mbi hajdutërinë më të madhe që po i bëhet shqiptarëve.
“Ky buxhet erdhi këtu si një proces klandestin, i zhvilluar në thyerje të plotë të rregullores dhe ligjeve, në Zoom. I zhvilluar në mejhane, ahengje. Ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, ky akt themelor i vitit në Parlament të merrte të gjithë dimensionet që i takonin. Ata e kaluan brenda 7 minutave në frikë dhe tmerr. S’votoi kurrkush. Nuk ka asnjë lloj evidence për votimin veç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës në Parlament, Lindita Nikollës. Kjo tregon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila sot korri një fitore të re, pasi i bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës që të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, e gjobës më të madhe për shqiptarët”, u shpreh Berisha.