Kryesore Buxheti 2025, Bardhi: Dëshmi e korrupsionit galopant, është për 5 individë dhe...

Buxheti 2025, Bardhi: Dëshmi e korrupsionit galopant, është për 5 individë dhe jo për qytetarët

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama për buxhetin e vitit 2025, dhe për bonusin e pensionistëve në fundvit.

Sipas tij pensionistët në Shqipëri kanë një pension mesatar prej 183 eurosh, ndërsa vendet e rajonit janë mbi dyfish të larta.

“Me pensionistët mendon se do i mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal për t’i dhënë atë që quhet bonus i fundvitit. Ai është një shpërblim që çdo vend evropian e jep në shenjë solidariteti. Zotëria e bën një herë në katër vite. As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. E ka dhënë në vitin 2022, për efekt të zgjedhjeve në 2021. Mendon se me këtë politikë do të gënjejë shtresën më në nevojë. Dëgjoj ndonjë qytetar që tha ndonjë shifër se sa është parashikuar rritja e pensioneve. Një pensionist i përgjegjshëm mjafton  të bëjë ato që bëjnë vende e rajonit. Në Shqipëri është 183 euro pensioni mesatar, në Malin e Zi, pensioni minimal është 450 euro. Në Serbi është 388 euro, në Maqedoninë e Veriut është 406 euro, në Bosnjë është 369 euro. Po në Shqipëri? Është 183 euro mesatari. Ky vjen këtu dhe na flet përralla. Absolutisht nuk u bë asnjë nder pensionistëve. Ato janë lekët e tyre. Pensionistët presin të kenë pensionin minimal sa në Malin e Zi, sa në Serbi e RMV.E dëgjuat çfarë tha” me këtë bonus, masa e rritjes së pensionit sjell një rritje me 9 %’. Sot që flasim, pensionistët e kanë 8 % më të ulët pensionet. Pas 12 vitesh, jo vetëm që nuk kanë përfituar rritje, por marrin më pak të ardhura. 12 vite pasi zotëria është ulur në atë karrige”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit buxheti 2025 është dëshmi e korrupsionit galopant dhe projekteve korruptive të Ramës dhe jo për qytetarët.

“Ai buxhet që ke sjellë për miratim nuk është për qytetarët, por është buxhet për 5 individë. Je ulur atje dhe kë vënë gishtin sa zero i doni projektet korruptive që do të bëjmë së bashku? Sa lekë do njëri e tjetri. Diskutimin e bëre me 3 shifra. Nuk i the asgjë shtresave në nevojë, familjeve me nëna të vetme kryefamiljare. Nuk u the asgjë qytetarëve sesi do t’i ndihmojë qeveria për të përballuar kostot e jetesës. Se ky buxhet nuk ka lidhje me ta. Nuk kishe shifra e sqarime për qytetarët. Erdhe, fole, derdhe ujë në mënyrë të pakontrolluar dhe ike. Mendon se duke fyer opozitën, ne do biem në kurthin tënd dhe nuk do merremi me buxhetin, por ne do të merremi me buxhetin. Ne jemi ndryshe nga ty që mban karrigen e kryeministrit me krimin e organizuar. Se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. Shko lahu, kurohu dhe bëj pastaj kryeministrin e Shqipërisë. Ky është buxheti i 12-të që kjo qeveri sjell në këtë sallë dhe është dëshmi e korrupsionit galopant. Duhet të kishte prioritetet e qeverisë. Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për fermerët. Lëmoshat i jep për pensionistët për zgjedhje. Çmimet janë rritur aq shumë, sa shumica e popullsisë nuk i përballon dot”, tha Bardhi.