Ekonomi Buxheti nuk ndryshon, PS do rrëzojë dekretin e Metës

Buxheti nuk ndryshon, PS do rrëzojë dekretin e Metës

Mazhoranca pritet ta rrëzojë dekretin me të cilin Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend buxhetin e vitit 2019. Burime pranë socialistëve i thanë Top Channel se buxheti nuk ka gjasa të ndryshojë dhe dekreti presidencial pritet të rrëzohet në seancën e fundit para mbylljes së këtij sesioni parlamentar, parashikuar në kalendar për të premten më 21 dhjetor.

Të enjten që shkoi Ilir Meta u bë presidenti i parë që ktheu një ligj për buxhetin, duke iu referuar kërkesave të studentëve që duan rritjen e buxhetit të arsimit në 5%. Presidenti tha se me këtë lëvizje synonte garantimin e stabilitetit në vend dhe shprehte besimin e plotë se Kuvendi do të reflektonte me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve.

Pavarësisht rrëzimit të dekretit presidencial, qeveria mund të bëjë më tej gjatë vitit të ardhshëm ndryshime në buxhet, pas dialogut që Kryeministri thotë se dëshiron të zhvillojë me studentët.

Çfarë gjithashtu nuk ka gjasa të kalojë në seancën e fundit është amnistia. P/ligji ende nuk është miratuar nga Qeveria dhe rregullorja e Kuvendit nuk lejon as kalimin me procedurë të përshpejtuar, në kushtet kur kjo mundësi është zënë nga ligji për krijimin e xhandarmërisë.

Për më tepër, amnistia kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota dhe ndonëse opozita do të kthehet në Parlament, fryma është në skajin e kundërt të dakordësisë.

E njëjta frymë pritet të sjellë edhe rrëzimin e propozimit kushtetues të demokratëve për vettingun e politikanëve, në kushtet kur as Komisioni i Venecias nuk e mbështeti atë. Opozita këtë e ka të qartë, por seanca do t’i lejojë deputetëve opozitarë të rinovojnë mandatet dhe pagat që rrezikojnë të humbasin pas gati 6 muajsh bojkot të Parlamentit.

Pritshmëritë e ndërkombëtarëve ishin që brenda dhjetorit palët të mbyllnin edhe reformën zgjedhore, me qëllim që të arrihej zbatueshmëria e saj në zgjedhjet vendore të qershorit të ardhshëm. Por klima konfliktuale ka rrëzuar edhe këtë parashikim, ndërkohë që palët pritet të japin “llogari” para kancelarive ndërkombëtare që kanë hedhur paratë për këtë reformë, duke nisur nga Berlini.