Politika Bylykbashi: Nëse miratohen ndryshimet kushtetuese, kthehemi në pikën zero

Bylykbashi: Nëse miratohen ndryshimet kushtetuese, kthehemi në pikën zero

Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, i ftuar në emisionin ‘Në Fokus’ në TvT ka deklaruar se në rast se me 30 korrik miraton ndryshimet kushtetuese atëherë do kthehemi në pikën zero.

Më konkretisht ai deklaroi: “Nëse shkelen parimet kushtetuese nga këto ndryshime do kthehemi në pikën zero politikisht, ndërsa në aspektin teknik do jetë një kundërshtim me rekomandimet e ODHIR-it. Ato thonin që sistemi do thjeshtuar. Do komplikohet sistemi i zgjedhjeve në mënyrë shumë të madhe. Kjo ndikon edhe te procesi i numërimit, që është më i vështirë”.

Më tej Bylykbashi u tregua i qartë duke thënë se kushti i vetëm për bashkëpunim është mos prekja e koalicioneve zgjedhore, që pritet të hiqen nga ndryshimet kushtetuese.

“Kushti ynë është i qartë dhe ndërkombëtaret po ashtu e kanë bërë të qartë, për koalicionet. Kjo Nuk duhet që kryeministri të prek koalicionet, ndërsa listat le të hapen 100%. Janë dy gjëra të shkëputura nga njëra-tjetra, por që mbijetojnë sëbashku. Rama ka vendosur të shkatërrojë traditën 30-vjeçare të koalicioneve.

Modeli aktual i koalicioneve me listë të përbërë është futur në kodin zgjedhor që në vitin 2003. Ky model ka traditë 17-vjeçare dhe është i konsoliduar. S’ka krijuar kurrë probleme, por i krijon probleme Edi Ramës.

Kjo i jep mundësi zgjedhësit ti japë fuqinë partisë. Në këtë mënyrë me listat e hapura del se sa i kushton lëkura çdo kandidati. Në vitin 2003 me konsensus është vendosur ky model i marrë nga Italia. E përdor Italia aq sa është në tekstet e të drejtës publike. Koalicioni parazgjedhor ekziston në shumë vende, ndryshe nga çfarë thotë Rama”, tha Bylykbashi.

Ndërkohë përsa i përket rolit të opozitës parlamentare në këtë çështje të reformës përfaqësuesi i PD-së tha: “Opozita parlamentare është një deshtament në shërbim të Edi Ramës. Bëri një propozim për deformimin e sistemit. Nëse Edi Rama ecën në mënyrë të njëanshme me faktin e përkryer ai nuk bën gjë tjetër veçse prish rregullat përpara garës. Sistemi zgjedhor nuk duhet të ndryshojë 1 vit para zgjedhjeve thotë OSBE. Marrëveshjet e mëparshme janë bërë në më shumë se 1 vit para zgjedhjeve”.