Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij ankimojnë në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e Erjola Hoxhës.
Ata kërkojnë konstatimin e pakushtetutshmërisë dhe paligjshmërisë së vendimit të Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të banesës në Hamallaj, në pronësi të partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, duke e quajtur “akt që cenon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale”.
Gjithashtu në ankim thuhet se kontrolli ishte i paligjshëm për shkak se mungonin shkaqet e ligjshme për kryerjen e tij.
“Zonjës Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose një mbrojtësi të zgjedhur para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj, pasi telefoni iu sekuestrua menjëherë”, thuhet në ankim.
“Banesa është dykatëshe dhe hetuesit u ndanë në mjedise të ndryshme ndërkohë që zonja Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetues të tjerë. Gjatë kontrollit ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre”.
Përmes ankimit, Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kohës kur është kontrolluar banesa. Gjithashtu ata ankimojnë edhe marrjen e PIN-it të kartës SIM të telefonit të zonjës Hoxha, pa një autorizim nga ana e Gjykatës.