Duke veçuar një nga komentet në faqen e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama u ka dhënë përgjigje kritikave për uljen e çmimit të energjisë elektrike. Me një video-selfie nga zyra e tij, Rama i përgjigjet qytetarit “Sy m’Sy” sa i takon kësaj mase, e cila sipas tij nuk ka asnjë lidhje me propagandën para zgjedhjeve të 11 Majit.
“Po ç’a ke bërë o vëlla, se s’po të marrim vesh, po na bën Zotin. Është ulur çmimi në të gjithë botën, e rrite para 4 vitesh, po e ulni për zgjedhje, kaq! Ç’a është kjo propagandë boshe?”, është ky komenti, të cilin ka përzgjedhur Rama.
“E para, ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin e energjisë elektrike. Kemi mbajtur një dekadë rresht çmimin fiks 9.5 Lekë që për shumicën dërrmuese ishte më i ulët se sa çmimi që gjetëm kur erdhëm në detyrë prej 13.5 Lekësh. E dyta, çmimi jo vetëm që nuk është ulur në të gjithë botën, por është rritur në shumë vende pas agresionit rus të fillim vitit 2022. Ndërkohë kjo e jona është ulja e vetme në Europë e çmimit të energjisë elektrike për familjarët, të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë”, i përgjigjet Rama.
Më tej, ai “sfidon” këdo që të gjejë të paktën një rast të vetëm përgjatë viteve në pushtet që ka bërë diçka të ngjashme, me qëllim marrjen e votave.
“E treta, kush thotë që kjo është ulje elektorale duhet të më gjejë në tërë këto vite një veprim të kësaj natyre, me karakter elektoral që të kem bërë për vota kundër logjikës ekonomike, financiare të vendit, ose një rast kur një masë pozitive që kemi marrë para një procesi zgjedhor ta kemi hequr pas fitores në zgjedhje. Nuk ka, mos kërkoni kot! Se nuk ka ndodhur!”
Rama theksoi se fitorja e PS-së ndaj kundërshtarëve politikë më 11 Maj do të jetë e thellë.
“Kurrë nuk i kam bërë këto më parë, kur kisha të tjerë në prehër, do t’i bëj në prag të zgjedhjeve kur do të marrim fitoren e 10-të radhazi?! Që do ketë notën 10 për nga thellësia e rezultatit dhe diferenca me kundërshtarin, nuk bën vaki! E fundit, llafet i merr era, për mua rëndësi ka fakti që, që nga muaji Shkurt mbi 1 mln konsumatorë familjarë do të paguajnë më pak për energjinë elektrike, ndërsa pensionistët do kenë një pension minimal nga kjo ulje e çmimit. Të kaloni mirë!”, përfundon Rama.