Nga Enver Robelli
Prej Donald Trumpit nuk pritet ta kritikojë Vladimir Putinin. Oligarku amerikan ka simpati të madhe për sistemin oligarkik të udhëheqësit rus. Në të kaluarën Amerika ka pasur qeveri që kanë hyrë në luftë për mbrojtjen e vlerave universale, siç janë të drejtat e njeriut, dinjiteti i njeriut, liritë personale dhe kolektive, e drejta e vetëvendosjes, e drejta e mëvetësisë shtetërore.
Nën Donald Trumpin është ndryshe. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i sheh procedurat demokratike si diçka të mërzitshme dhe jo vetëm fshehurazi ëndërron të sundojë si Putini – me grusht të çeliktë. Rrjedhimisht, çfarë ra në sy pas dyshimeve për helmimin e opozitarit rus Aleksej Navalni ishte – heshtja e Trumpit. I pyetur për rastin të enjten e kaluar, Trump tha se do ta “hetojë” atë bashkë me ministrin e Jashtëm Mike Pompeo. Detaje të tjera Trump nuk ofroi.
Siç raportoi “Washington Post” javën që shkoi, heshtja e Trumpit është municion për kritikët e tij, të cilët thonë se presidenti amerikan është tepër i dobët karshi atij rus, i cili supozohet se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane më 2016. “Çdo president tjetër amerikan do ta kishte dënuar menjëherë sulmin”, shkroi në Twitter senatori demokrat Richard J. Durbin.
Evropianët nuk heshtin, por kjo nuk e ndryshon aq sjelljen e Putinit. Reagimet e evropianëve janë të vakëta dhe pa pasoja të mëdha për shefin e Kremlinit. Klithmat e Navalnit, të cilin e pushtuan dhimbjet pasi piu një çaj në një avion rus, sollën në vëmendjen e publikut listën e gjatë të mizorive të Putinit. Ja një listë e shkurtër: aneksimi i Krimesë më 2014, dhuna e separatistëve prorusë në Ukrainë dhe përkrahja e tyre nga Kremlini, rrëzimi i avionit MH17 të “Malaysian Airlines”, roli sabotues në zgjedhjet presidenciale amerikane, sulmi kibernetik kundër Parlamentit gjerman, sulmi kundër ish-agjentit rus Sergej Skripal në Britaninë e Madhe më 2018, vrasja e një azilkërkuesi çeçen me pasaportë gjeorgjiane në qendër të Berlinit në gusht 2019, aktivitetet e agjentëve rusë në Ballkan – sidomos në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo listë mund të zgjatet.
Në anën tjetër ekziston një fotografi simbolike: në gusht 2018, ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissel, e ftoi në dasmën e saj Vladimir Putinin. Lideri rus erdhi, bëri muhabet në gjermanisht (Putini ka qenë agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore) dhe vallëzoi me zonjën austriake, e cila nuk përtoi të bëjë një gjest gjunjëzimi përballë Putinit. Kneissel nuk është më ministre, ndërkohë është ndarë edhe nga burri, por e ka gjetur një vend pune: shkruan kolumne për televizionin shtetëror propagandistik rus “Russia Today”.
Natyrisht, nuk janë të gjithë politikanët evropianë të tillë. Angela Merkel, e vetmja udhëheqëse evropiane që flet rusisht dhe ndër të vetmet që i njeh politikën dhe kulturën ruse, që nga pushtimi i Krimesë ka arritur të mbajë në fuqi sanksionet kundër Rusisë – ndonëse nuk janë sanksione që e shqetësojnë aq Putinin. Çmimi i sanksioneve nuk është aq i shtrenjtë, andaj Putini vazhdon me veprimet e tij. “Putini po e bën këtë, sepse po lejohet ta bëjë”, shkruan publicistja gjermane Carolin Emcke në “Süddeutsche Zeitung”. Sipas saj, Evropa herë pas here e fton ambasadorin rus për të protestuar, herë pas here ushtron kritikë publikisht, sanksionet janë të kufizuara në kohë dhe vazhdohen vijimisht. Kjo, sipas Emcke, nuk mjafton.
Meqë nuk i dhemb gati asgjë nga masat ndëshkuese, Putini dhe klani i tij mendojnë se ende ia vlen të vrasësh kritikë dhe disidentë dhe të përkrahësh lëvizje ndërkombëtare antidemokratike. Për të penguar reagimet e ashpra të evropianëve mjafton – nga prizmi rus – që krimet të mohohen, të shtohet veprimtaria propagandistike dhe evropianëve t’u shitet gaz. “Për aq kohë sa BE-ja nuk merr vendim që si reagim ndaj veprimeve ruse të reduktohet importi i gazit për 10 deri 20 për qind, zemërimi moral mbetet valutë inflacionare”, shkruan Emcke.
Putini ndalet kur çmimi bëhet i shtrenjtë. “Putini nuk është Stalin, i cili s’bëhet merak për koston kur dëshiron të fitojë luftëra. Sulmin kundër Ukrainës ai e ngriu, kur nisi të shtrenjtohej. Në kuptimin e politikës së pushtetit ai më shumë është gjahtar i prodhimeve të lira sesa i kafshëve të mëdha të egra. Për këtë arsye është e mundur që ai të mbahet i rrethuar nëse i bëhet e qartë se safari i ardhshëm do të ketë çmimin e vet: sanksione të reja të Perëndimit”, komentoi së fundit “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.