Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj i dërgoi një letër zyrtare drejtorit ekzekutiv të kompanisë “Apple”, Tim Cook. Në letër, Cakaj i kërkoi atij të vendosë kufijtë e Kosovës në hartë.
“Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj. Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës në mënyrë të pakushtëzuar e në çdo rrethanë…”, shkroi Cakaj në “Facebook”.
Ministri sqaroi se letra e dërguar është bërë në bashkëpunim me ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.