Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj priti në një takim homologun grek, Nikos Dendias, i cili është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në lidhje me takimin e zhvilluar Cakaj u shpreh se me homologun grek, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe.
Në takim, mes të tjerash, u theksua mbështetja e Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Cakaj bën me dije se vendi fqinj do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.
Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të shtuar punën e përbashkët dhe për të thelluar bashkëpunimin në çdo fushë të interesit të ndërsjellë mes dy vendeve.
Protesta e PDIU kundër vizitës së Dendias, procedohen organizatorët
Protesta e mbështetësve të Partisë për Drejtësi, Unitet dhe Integrim kundër vizitës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias është shoqëruar me përplasje më efektivët e policisë dhe për këtë arsye janë shoqëruar në komisariat dhe proceduar disa persona.
Policia e Shtetit bën me dije se për këtë manifestim të konsideruar të jashtëligjshëm janë proceduar 18 persona, mes të cilëve dhe organizatorët Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Boiken Abazi.
Këta persona akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat antiCovid. Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë i kanë vendosur gjobë, shtetasve që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.