Ishte një Juventus zhgënjyes, ai që luajti në “Wanda Metropolitano” kundër Atletico Madrid dhe u mund 2-0 në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve.
Ish-trajneri bardhezi, Fabio Capello, e analizon kështu për “Sky Sport” paraqitjen e kampionëve italianë: “Juventusi nuk më pëlqeu aspak, luajti duke humbur kohë. Nuk ishte Juventusi që zakonisht shohim në fushë, në ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë e dinin se Atletico Madrid është një skuadër e fortë, ndaj duheshin marrë masat. Sidoqoftë, në vend të kësaj, ata pësuan dy gola”.
Pak kritika nga ish-trajneri i njohur edhe për mbrojtësin e Juventusit, Leonardo Bonucci. Bardhezinjtë protestuan për një faull të supozuar nga Gimenez ndaj mbrojtësit italian.
Capello e shikon ndryshe këtë rast: “Bonucci u hodh, me shpresën se arbitri do të gënjehej. Ky është fryti i mentalitetit në Itali, ku me një përkëdhelje rrëzohesh dhe merr faull. Rezultati duket vetë. Nuk kishte faull”.