Sport Capello kundër De Zerbit si trajner te Milan: Çfarë ka fituar në...

Capello kundër De Zerbit si trajner te Milan: Çfarë ka fituar në karrierën e tij?

Tashmë prej disa kohësh është kuptuar se mendimi i Fabio Capello për Roberto de Zerbi nuk është shumë pozitiv. Këtë opinion ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit e ka përforcuar mbrëmjen e së dielës, pas përfundimit të Atalanta-Roma.

I pranishëm në studiot e “Sky”, Capello ka biseduar edhe për trajnerët me komentuesit e tjerë në studio. Diskutimi ra edhe mbi De Zerbi (një ndër emrat që përfliten si trajner të Milan), i cili po përjeton një moment jo pozitiv te Brighton, pasi i nxori për herë të parë “Pulëbardhat” në Evropë. Pyetjes se cili është mendimi i tij për ish-trajnerin e Sassuolos, iu përgjigj: “Negativ, sidomos për shkak të shumë lavdeve për të, ndërkohë që ka një ‘palmares’ personal ende pa trofe të rëndësishëm.

Më thoni çfarë fitoi dhe bëri De Zerbi në karrierën e tij? Sivjet është i dhjeti, i nënti, i njëmbëdhjeti… Nuk e kuptoj pse përflitet kaq shumë si një nga top-trajnerët, është më i sponsorizuari nga të gjithë mediatikisht”.

Nuk është hera e parë që Capello flet me terma më pak pozitivë për De Zerbin. Ai e bëri këtë gjithashtu në mars, pas ndeshjes së parë të 1/8 finale të “Europa League” midis Romës dhe Brighton, duke e krahasuar trajnerin nga Brescia me De Rossi: “Daniele nuk flet vetëm për skema, sigurisht që nuk ka mendjemadhësinë e De Zerbit. De Rossi është modest, i mirë dhe shumë i vëmendshëm në komunikim. Edhe lojtarët, të cilët lexojnë dhe dëgjojnë gjithçka nga gazetat, telefonat celularë, televizioni dhe radio, e kanë bindur veten se janë të fortë”.

Me atë rast, De Zerbi iu përgjigj Capello-s. Ose më mirë, u detyrua të përgjigjej, teksa gazetarët anglezë i kërkuan një mendim për deklaratat e “Don Fabio” para ndeshjes së kthimit ndaj Romës: “Unë nuk i dëgjoj ato që thotë Fabio Capello”.

De Zerbi, siç u përmend, nuk po kalon një moment pozitiv në krye të Brighton. Dy ndeshje para përfundimit të Premier League është i dhjeti në klasifikim me 48 pikë, po aq sa Bournemouth. Në muajt e fundit, i është dashur shpesh të përballet me disfata dërrmuese, më të fundit 4-0 dhe 3-0 kundër Arsenalit dhe “Cherries” mes 25 dhe 28 prillit.

Brighton ka treguar shenja ringjalljeje në dy ndeshjet e fundit, duke mposhtur Aston Villa dhe më pas barazuar në Neecastle. Katër pikë të cilat, megjithatë, nuk rezultuan të mjaftueshme për të zbutur gjykimin e Capello-s.