Fusha e blertë e dha verdiktin e saj: Kundërshtarja e Italisë në çerekfinalet e Euro 2020 do të jetë Belgjika e Romelu Lukakut. Përfaqësuesja belge, e drejtuar nga Martinez, mundi 1-0 Portugalinë e Cristiano Ronaldos në raundin e 1/8-ave falë golit të Thorgan Hazard. Duke analizuar kundërshtarët e ardhshëm të të kaltërve, Fabio Capello, trajneri dhe eksperti i njohur italian, deklaroi:
“Belgjika nuk më duket një skuadër që luan hapur, belgët luajnë të varur nga Lukaku. Më vjen keq për De Bruyne, por le të shpresojmë që nuk do të mund të riaftësohet në kohë, sepse është lojtar që bën diferencën. Ata janë një ekip që kur vendoset në zonën e mbrojtjes, është shumë e vështirë për ta mposhtur. Belgjika është skuadër e fortë, megjithatë mendoj se ndaj Portugalisë Italia do ta kishte pasur më të vështirë. Kemi potencial për të avancuar.”
Don Fabio më pas përgëzon trajnerin Roberto Mancini për punën që ka bërë deri më tani, duke nënvizuar: “Ai u kushtoi vëmendjen lojtarëve të rinj. Ndonjëherë ish-kolegët e mi nuk rrezikojnë ose nuk arrijnë të shohin potencialin e lojtarit të ri. Locatelli luajti mbi 40 ndeshje te Milani, por atje nuk e kuptuan se çfarë potenciali kishte.”
I pyetur se cili është futbollisti simbol i përfaqësueses italiane, Capello u përgjigj pa hezitim:
“Jorginho, ai është lojtari i Mancinit. Ishte një futbollist që nuk më bindte plotësisht, por në ndeshjet që pashë drejtpërdrejt kuptova që është një mesfushor që di të qëndrojë në fushë dhe di të menaxhojë ekipin. Vetë fakti që Italia nuk ka pësuar shumë gola është për shkak të aftësisë së tij për t’u ndërhyrë kundërshtarëve në momentin e duhur.”