Iker Casillas në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, thotë se miku i tij, Buffon, e meriton këtë Champions, por ai do të mbështesë Real Madridin.
“Zemra ime më thotë se Buffon e meriton ta fitojë Ligën e Kampionëve, por unë do të mbështes Real Madridin. Karriera sportive e Buffon nuk e meriton të mbyllet pa fituar Champions-in. Ai ka zhvilluar një sezon të madh. Edhe pse 39 vjeç, Buffon ka treguar se ende mund të jetë një portier i madh. E ardhmja është e portierëve si Donnarumma. Nuk ka tjetër si ai”.
Pavarësisht nga sezoni mbresëlënës i Buffonit, Casillas beson se “Topin e Artë” nuk do ta marrë dot: “Unë do të doja ta merrte, por e shoh shumë të komplikuar këtë gjë, që ta fitojë një portier. Historiku i këtij çmimi flet qartë në këtë drejtim. Nëse Real Madrid fiton të shtunën, favorit do të jetë Ronaldo, por kini kujdes Dybala”.
Iker Casillas nuk harron as mikun e tij, Higuain: “Unë jam gjithashtu i lumtur për të, për shkak se ka provuar të jetë një sulmues i madh. Higuain ka qenë ndonjëherë i kritikuar për çështje fizike, por së pari te Napoli dhe tani te Juve ka treguar më së miri se çfarë mund të bëjë. Kundër Monacos ishte vendimtar”.
Casillas beson se në finale do të ketë rivalitet në maksimum: “Real Madridi është shumë i fortë lart, me Ronaldon. Juve është një ekip shumë i fortë në pjesën mbrojtëse, por ka edhe një sulm të mirë me Higuain, Dybala e Mandzukic. Unë shoh një Juve më kompakte dhe të balancuar. Finalja është 50 me 50. Real Madridi i ka fituar pesë finalet e fundit dhe ky është një fakt në favor”.