Sport Cassano “denigron” Simone Inzaghin, Adani detyrohet ta ndalojë: Jo, Antonio, e tepruar

Cassano “denigron” Simone Inzaghin, Adani detyrohet ta ndalojë: Jo, Antonio, e tepruar

Interi humbi ndaj Bayer Leverkusen në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Champions League. Megjithatë, kjo disfatë nuk ka ndikuar në pozicionin në renditje të zikaltërve, që janë gjithnjë e më pranë kualifikimit direkt për në fazën e 1/8-ve, pa pasur nevojë të kalojnë nga playoff-et.

Por, siç thotë Cassano, asgjë nuk është e sigurt. Pikërisht për këtë arsye, në episodin e fundit të Viva el Futbol – formati në streaming që drejtohet nga Lele Adani dhe Nicola Ventola – Antonio Cassano sulmon teknikun Simone Inzaghi, duke kritikuar ashpër qëndrimin e Interit në ndeshjen kundër skuadrës së Xabi Alonsos në Gjermani.

Në studio ndërhyn një tifoz që e cilëson performancën e Interit si “disi të turpshme”, duke gjetur mbështetjen e Antonio Cassano, i cili në atë moment sulmon pa kursim Simone Inzaghin: “Ka një diferencë të madhe dhe kjo është mendimi im: në stol te Leverkuseni ka një fenomen, ndërsa te Interi një pipa (dështak)”. Në këtë pikë, reagimet e dy bashkëmoderatorëve, Ventola dhe Adani, janë të menjëhershme. Sidomos Adani, i befasuar nga fjalët e Cassanos, ndërhyn menjëherë për ta ndaluar: “Jo, pipa jo – thotë ai bashkë me Ventolën. – Është e tepruar, Anto”.

Adani e di që Cassano shpesh ka kritikuar Simone Inzaghin, duke vënë në dyshim stilin e tij të trajningut, mënyrën si organizon ekipin në fushë dhe detaje të tjera të punës së tij. Por ndoshta nuk e priste të dëgjonte një term kaq të rëndë ndaj trajnerit. Ai përpiqet ta udhëzojë Cassanon të zbusë tonin: “Pipa nuk e ke përdorur kurrë më parë,” – thekson Adani, duke sugjeruar një korrektim, të cilin Cassano e pranon. “Atëherë le të themi trajner i dobët,” – shton ai. Pas kësaj, Cassano shpjegon më në detaje pakënaqësinë e tij.

“Më thuaj një lojtar të vetëm të Leverkusenit që do të luante te Interi?” – pyet Cassano. Në atë moment Adani përgjigjet: “Kjo është një konsideratë e mirë.”

Cassano vazhdon analizën e tij: “Diferenca është se te Leverkuseni ka një trajner që e pëlqen futbollin ashtu si e pëlqejmë ne, studion, i ndihmon lojtarët të zhvillohen, ndërsa Inzaghi, në mënyrë të çuditshme në ndeshjet e vështira, vendos Taremin të bëjë përplasje djathtas dhe majtas”.

Ai shton: “Në Itali duket sikur luan mirë dhe dominon. Më parë thashë pipa, nuk është pipa, por nuk është i mirë, nuk më pëlqen. Ka humbur dy kampionate, shkon në Champions League dhe merr goditje të rënda. Vitin e kaluar doli jashtë kundër një skuadre më të dobët se e tij”.