Tek Interi mbetet e ndezur çështja “Icardi”. Tani, për të këshilluar ish-kapitenin zikaltër, ka menduar një tifoz i madh i Interit, si Antonio Cassano. Ai e ka bërë këtë përmes emisionit “Tiki Taka”, mbrëmjen e së dielës.
Ish-sulmuesi i njohur italian i sugjeroi Wanda Nara-s për ta bindur Icardin që t’ua qartësojë shokëve të skuadrës, në dhomën e zhveshjes, se çfarë ka ndodhur me të: “Mauro duhet të shkojë në dhomën e zhveshjes dhe t’i sqarojë bashkëlojtarët për të mirën e vet, jo të rrijë larg deri në qershor.
E them këtë, sepse tek Interi konstatoj probleme mes lojtarëve. T’i sqarojë të gjithë dhe të shtrëngojë duart me ta. Nisur nga gjesti i Perisic, ka diçka që nuk shkon. Mendoj se Icardi ka probleme me sllavët”.
Wanda nuk e ka pritur fare mirë këtë këshillë dhe i është kthyer barezit duke thënë: “Këto janë budallallëqe, si të shkojë në dhomat e zhveshjes, ai shkon çdo ditë aty. Ku ka gabuar Icardi, për çfarë të kërkojë falje dhe çfarë duhet të sqarojë”?
Cassano, megjithatë, pranon që, nëse do t’ia kishin hequr shiritin e kapitenit si argjentinasit, reagimi i tij do të ishte shumë më i keq se i Icardit: “Ka shkaktuar një rrëmujë, por nuk duhet të qëndrojë jashtë skuadrës deri në qershor. Klubi dhe Spalletti nuk janë të çmendur, nuk duan të kenë probleme, mendojnë për të mirën e ekipit. Interi do të luajë për vendin e tretë, ndaj golat e Icardit janë tepër të çmuar për këtë”.
Ish-talenti barez iu sugjeron zikaltërve të mos e blejnë Diego Godin për sezonin e ardhshëm: “Interi tashmë ka lojtarë të fortë mbrapa (në mbrojtje). Për të fituar, ju duhet të merrni lojtarë, që bëjnë dallimin në sulm dhe në mesfushë. Rakitic? Është shumë i fortë”.
Së fundi, Cassano minimizon shanset e Juventusit për të bërë përmbysjen ndaj “rojiblanco” në Ligën e Kampionëve, ndërkohë që e konsideron titullin në Itali një çështje të mbyllur: “Kampionati është i gjatë, por Inter dhe Napoli mendojnë për “Europa League”. Juventusi është kampion. Champions-i? Për mua është shumë e vështirë të bësh tre gola ndaj Atletico Madrid”.