Armin Laschet, lideri i ri i Partisë Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), ka ende punë për të bërë për të bindur gjermanët se është zgjedhja e duhur për të drejtuar vendin.
Në një sondazh të realizuar kompania Forsa për llogari të RTL, raporton Reuters, ai shihet si zgjedhja e dytë, pas kryeministrit të landit të Bavarisë, Markus Soeder.
36% e pjesëmarrësve në sondazh (në total 2000 persona) thanë se preferojnë Soeder si liderin e konservatorëve në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Laschet mori mbështetjen e 21% të të anketuarve.
Soeder është lider i Partisë Bashkimi Kristian Socialist (SCU), parti simotër e CDU në Bavari. Së bashku ato formojnë “bashkimin” konservator. Zakonisht, por jo gjithmonë, kandidati për kancelar vjen nga radhët e CDU dhe në dy rastet e vetme kur kandidati ka qenë nga radhët e CSU, i ka humbur zgjedhjet.
54-vjeçari Soeder, dikur me bindje të djathta, është spostuar drejt qendrës dhe në deklaratat e fundit është treguar modest për ambiciet e tij, duke thënë se e ka vendin në drejtim të Bavarisë. Megjithatë, ai tha se dy partitë do të vendosin së bashku kush do të jetë kandidati për kancelar, ndoshta në mes të marsit.