Ne e kemi humbur numërimin, se sa herë ka rinovuar Messi me Barcelonën. Në fakt, kjo nuk ka fort rëndësi, kur ke parasysh se çfarë rruge ka përshkuar ylli argjentinas në karrierë, e cila lidhet vetëm me një fanellë në rang klubi, atë katalanase. Ne kemi humbur edhe numrin e golave që ai ka shënuar, “hat-trick”-et, “poker”-at, “manita”, madje edhe ndeshjet që ka fituar i vetëm. E vetmja e dhënë e freskët është e ndeshjes së fundit. Në Mallorca, 2 asiste dhe një gol.
Çështja është se më 10 qershor skadoi afati për Leo, pronar i së ardhmes së tij, për të ekzekutuar klauzolën e lirimit, e cila i lejonte atij të largohej nga Barcelona në fund të këtij sezoni. Ai ka mbetur edhe një vit aty, por për presidentin Bartomeu, nuk do të jetë i fundit. Messi do të luajë te Barcelona derisa të dëshirojë, ashtu siç bëri më parë Puyol, Xavi dhe Iniesta. Kështu nderohen e respektohen “të përjetshmit”, ata që janë 100% të përkushtuar për kauzën e klubit katalanas.
Për sa kohë që është mirë fizikisht dhe me shëndet të plotë, ai do të vazhdojë të veshë fanellën blaugrana nr.10. Si gjithmonë, duke qenë më i miri. Një kusht që Barcelona nuk e diskuton, por e mbështet. Për këtë do t’i ofrojë gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë” rinovimin e kontratës, gjë që korrespondon me performancën e tij. Fitimi financiar (paga) do të jetë më shumë se i kujtdo, edhe më i madh se tani. Siç thotë Bartomeu, më të mirët në botë nuk trajtohen si të tjerët kur rinovojnë.
Formula e rinovimit, siç shkruan “Mundo Deportivo”, do të bazohej në modelin e kontratës në fuqi, deri në vitin 2021. Zgjatja do të bëhet për dy vite (1+1), duke lënë hapur mundësinë e një kontrate të re më 2023, sipas dëshirës së vetë kapitenit. Kontakti me Jorge Messi (babain-menaxher) është i përhershëm, megjithëse palët nuk janë ulur ende për të biseduar. Të gjithë e dinë që ky proces do të përfundojë mirë dhe tani qëllimi i përbashkët është që t’i jepet përparësi konkurrencës.
Leo synon të bëhet kampion i La Liga-s dhe i Europës këtë edicion të vështirë, që u ndërpre për më shumë se dy muaj nga një pandemi e pazakontë botërore, si Covid-19. Nëse kriza financiare prej kësaj të fundit është evidente edhe te Barcelona, kjo nuk vlen për Messin. Për të ka “çek të bardhë” përjetësisht.