Kombëtarja shqiptare u mposht me rezultatin 2-0 në transfertë nga Çekia, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Një sfidë që foli më shumë për vendasit, por rastet nuk munguan as për Shqipërinë, që pas kësaj disfate zbret në vendin e tretë në renditjen e grupit B1.
Kjo për çekët ishte si një hakmarrje për ta, pasi u mposhtën në eliminatoret e Europianit, 3-0 në Air Albania.
Ndeshja nisi keq për kuqezinjtë, që e panë veten në disavantazh që në minutën e 3-të, kur Chory pas një krosimi të marrë nga e majta, e shfrytëzoi si duhet dhe e ndali topin në fundin e rrjetës. Pas këtij goli, skuadra e Silvinjos e kishte të vështirë për të dalë përpara dhe si rrjedhojë çekët vazhduan sulmet në kërkim të golit të barazimit.
Rasti i parë i rrezikshëm për Shqipërinë ishte ai i minutës së 24-t, kur Bajrami provoi me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, por topi shkoi ngjitur me shtyllën. Mundësi shumë e mirë ishte edhe ajo e minutës së 36-të, ku Qazim Laçi dhe Kristjan Asllani nuk u kuptuan si duhet në afërsi të zonës.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Çekisë, ndërsa fraksioni i dytë, nisi me Shqipërinë më kërkuese. Në minutën e 52-të, Jasir Asani kishte mundësinë ideale për të barazuar shifrat, por gaboi gjithçka duke gjuajtur mbi traun e portës.
Goditjen e dytë çekët e dhanë në minutën e 63-të, kur Chory i pa markuar në zonë, ia doli të shënojë me kokë për 2-0. Kuqezinjtë tentuan të reagojnë dhe iu afruan golit në dy raste me Asllanin dhe Tucin, gjuajtjet e të cilëve u ndalën nga portieri Kovar.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe ndeshja u mbyll me fitoren e çekëve, të cilët ngjiten në vendin e dytë në grup me 6 pikë, po aq sa Gjeorgjia kryesuese.
Me këtë humbje, Shqipëria zbret në vendin e tretë me 3 pikë, pas tre ndeshjeve.