Politika Celibashi: Po punojmë me PD për të mundësuar votimin elektronik në qarkun...

Celibashi: Po punojmë me PD për të mundësuar votimin elektronik në qarkun e Tiranës

Për herë të parë Shqipëria pritet të përfshijë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm votimin e emigrantëve dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u shpreh optimist se Komisioni Rregullator do të miratojë aktet e nevojshme për të bërë të mundur këtë proces.

“Është e qartë që klima politike relativisht e acaruar në Shqipëri nuk e ndihmon në përgjithësi procesin përgatitor zgjedhor, por deri në momentin që ne flasim, nuk duket që kjo ka ndikuar procesin e miratimit të akteve nga Komisioni Rregullator dhe në përgjithësi të aspekteve tjera rregullatore apo përgatitore, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka përgjegjësi të deleguara nga Kodi Zgjedhor”, tha Celibashi për Zërin e Amerikës.

Ndërsa palët politike në Shqipëri, nuk arritën dakordësi për numrin e qarqeve ku do të realizohej votimi dhe numërimin elektronik, në intervistën për Zërin Amerikës, Celibashi tha se po punohet me përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera që janë skeptike, me qëllim që të realizohet votimi elektronik në qarkun e Tiranës.

“Natyrisht, që zhvillimi i këtij procesi, i kësaj mënyre të votimit e ka në themel kërkesën për një konsensus sa më të gjerë të faktorit politik. Për sa kohë që partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike nuk ka dhënë një mbështetje, kam frikë se ne si institucion përgjegjës për përgatitjen e procesi zgjedhor nuk mund të ecim përpara.

Gjithsesi, do të duhet ta them dhe ta bëjë publike se do të vazhdojmë të punojmë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe ndonjë partie tjetër, e cila ka një lloj skepticizmi për votimin elektronik, që të mundësohet. Do të ishte mirë edhe për atë që përfaqëson nga pikëpamja politike dhe elektorale qarku i Tiranës, por edhe për faktin që shumica dërrmuese e faktorit politik në Shqipëri e mbështet zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë, mund të konsiderojmë opsionin e zhvillimit të votimit elektronik në qarkun e Tiranës.

Por, gjithsesi ngelet kusht që të ketë një dakordësi nga gjithë spektri opozitar në lidhje me këtë proces edhe pse konsideratat e qoftë Partisë Demokratike apo të dikujt tjetër në lidhje me votimin elektronik nuk lidhen me sistemin në vetvete, por me qasjen e personelit teknik ndaj këtij sistemi. Përsëri, mendoj që është e rëndësishme që të adresohet ky shqetësim dhe të shpresojmë që në një moment të dytë të ekzistojë edhe mirëkuptimi dhe konsensusi i të gjithëve për këtë proces”, tha Celibashi.

“Për kohën që kemi në dispozicion, si dhe duke konsideruar se thuajse të gjitha partitë e tjera politike, përfshirë atë të shumicës së qeverisë, Partinë Socialiste dhe ato të opozitës, kanë propozuar dhe fortë kanë rekomanduar që votimi elektronik të zhvillohet në Tiranë, duke konsideruar këtu edhe elementë të tjerë, qoftë politik edhe elektoral apo edhe të logjistikës. E para me kohën që kemi në dispozicion mendoj që do të ishte me dobi që të zhvillohej votimi elektronik në qarkun e Tiranës. Por, gjithsesi do ta bëjmë këtë diskutim në ditët në vijim”, përfundoi Cellibashi.

KQZ propozoi fillimisht për votim dhe numërim elektronik, vetëm Elbasanin dhe Durrësin. Më pas PS kërkoi që të përfshihej edhe Tirana ose procesi të realizohej vetëm në Tiranë. Ndërsa PD nuk dha mbështetje për asnjë variant sepse sipas saj nuk ka garanci për një proces të besueshëm.