Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka bërë sërish thirrje liderëve të partive politike që të presin numërimin e fletëve të votimit për të kuptuar se cili është fituesi i zgjedhjeve. Deklarimet pa nisur procesi i numërimit, sipas Celibashit, nuk i shërbejnë qetësisë së nevojshme.
Celibashi thotë se duhet treguar vetëpërmbajtje në mënyrë që komisionerët dhe numëruesit të kenë klimën e duhur për të zhvilluar një proces numërimi të sigurtë dhe transparent.
“Ju bëj thirrje subjekteve zgjedhore, që procesin në vijim ta përcjellin me qetësi pasi askush nuk e di se kush i ka fituar këto zgjedhje. Duhet të presim që të numërohen fletët e votimit, për të kuptuar se kush është fituesi i zgjedhjeve të datës 25 Prill. Çdo deklarim pa nisur procesi i numërimit të fletëve të votimit nuk do t’i shërbente qetësisë së nevojshme që duhet të shoqërojë procesin e numërimit të votave. Lidershipi politik duhet të tregojë vetëpërmbajtje në mënyrë që komisionerët dhe numëruesit të kenë klimën e duhur për të zhvilluar një proces numërimi të sigurtë dhe transparent”, shkruan Celibashi nw rrjetet sociale.
Më herët në një deklaratë për mediat Celibashi tha se rezultati i zgjedhjeve për partitë dhe koalicionet do të dalë brenda 48 orëve.