I zvarritur, i deformuar dhe jo transparent! Me këto 3 fjalë e ka përshkruar, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha censin e popullsisë. Ai thotë se Shqipëria është shpopulluar dhe fajtor kryesor për këtë bën kryeministrin Edi Rama.
“Eksporti më i madh i Edi Ramës janë shqiptarët. Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti.
Eksodi masiv i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë, as thagmat korruptive që po i bëjnë gjëmën vendit, si skandali dramatik i Onkologjikut, apo i dhjetëra zezonave të tjera që e kanë bërë vendin të pajetueshëm.
Shqipëria nuk meriton shpërbërjen e saj, shpërbërjen e familjes, largimin e rinisë, plakjen e popullsisë. Që kjo hemoragji të ndalë, kërkohet një ndryshim i menjëhershëm dhe rrënjësor”, shkruan Basha.
Teksa listoi problematike, Basha tha se zgjidhja do të vijë nëpërmjet planit të tij për “t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë”.
“Shqipëria meriton më shumë, prandaj ne kemi prezantuar përpara shqiptarëve një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë”, shkruan Basha.