Çernobili duket se ka fituar rëndësi pas tensionimit të marrëdhënieve Rusi-Ukrainë. Ndërsa flitet gjithnjë e më shumë për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia, rruga më e shkurtër nga Moska në Kiev, është nga veriu. Ajo kalon nëpër zonën e izoluar rreth termocentralit të Çernobilit, ku shkrirja e reaktorit në 1986 shkaktoi katastrofën më të rëndë bërthamore në histori.
Kjo e bën Çernobilin një zonë që Ukraina mendon se duhet ta mbrojë, duke detyruar ushtrinë e saj të vendosë forcat e sigurisë në pyllin e frikshëm dhe ende radioaktiv, ku ata mbajnë armë dhe pajisje për të zbuluar ekspozimin ndaj rrezatimit.
“Nuk ka rëndësi nëse është i kontaminuar apo askush nuk jeton këtu,” thotë nënkoloneli Yuri Shakhraichuk i shërbimit të rojes kufitare të Ukrainës. “Është territori ynë, vendi ynë dhe ne duhet ta mbrojmë”.
Forcat ukrainase në zonën që njihet si Zona e Përjashtimit të Çernobilit nuk do të mjaftonin për të përballuar një sulm pushtues, por janë vendosur atje kryesisht për të zbuluar shenjat paralajmëruese. “Ne mbledhim informacion për situatën përgjatë kufirit dhe ua përcjellim atë agjencive të inteligjencës të Ukrainës”, thotë Shakhraichuk për New York Times.
Qëllimi për të cilin u krijua Zona e Përjashtimit në Çernobil, nga autoritetet sovjetike tre dekada më parë, ishte të kufizonte, nëpërmjet izolimit dëmet që mund të shkaktojë ende centrali bërthamor. Grimcat radioaktive të mbetura në tokë ose të bllokuara nën strukturën mbajtëse të reaktorit të shkatërruar, ndërsa kalben ngadalë, nuk përbëjnë ndonjë rrezik për ushtarët, për sa kohë që ata ushtarë nuk qëndrojnë në zona ku rrezatimi është shumë i lartë. Por toka duhet të braktiset, në disa vende për qindra vjet.
Dy muaj më parë, qeveria vendosi forca shtesë në zonë, për shkak të rritjes së tensioneve me Rusinë dhe Bjellorusinë, aleate e Kremlinit, kufiri i të cilit është 5 milje nga reaktori i dëmtuar dhe ku Rusia ka zhvendosur së fundmi trupat.
Reaktori nr. 4 i termocentralit bërthamor të Çernobilit shpërtheu dhe u dogj gjatë një testi më 26 prill 1986, duke lëshuar rreth 400 herë më shumë rrezatim sesa bombardimi në Hiroshima. 30 persona vdiqën menjëherë pas aksidentit, shumica nga ekspozimi ndaj rrezatimit. Studimet afatgjata kanë sugjeruar se si pasojë e rrezatimit mund të ketë mijëra vdekje nga kanceri.
Ndërkohë që zona është e pabanueshme, ajo tërheq turistët për vizita të shkurtra, gjë që gjeneron të ardhura.
Në kohën e aksidentit, Ukraina ishte republikë sovjetike dhe fillimisht, autoritetet sovjetike u përpoqën të mbulonin fatkeqësinë. Për të shmangur ngritjen e dyshimeve, ata vazhduan disa ditë më vonë me paradat e 1 Majit në Ukrainë, duke nxjerrë në marshim nxënësit e shkollave, ndërkohë që në ajër kishte pluhur radioaktiv.
Ky moment shihet edhe sot si një nga arsyet që nxitën sentimentin antisovjetik në të gjithë Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, republikat më të prekura, dhe aksidenti tani shihet si një nga shkaqet e rënies së Bashkimit Sovjetik pesë vjet më vonë.