Bota Certifikata europiane e shëndetit, objektiv për sezonin e verës

Certifikata europiane e shëndetit, objektiv për sezonin e verës

Autoritetet europiane po synojnë hyrjen në shërbim të një certifikate shëndetësore, thënë ndryshe pasaporta e gjelbër, për të lehtësuar udhëtimin brenda BE para pushimeve verore, njoftoi sot Komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton.

”Kjo draftcertifikatë, që do të paraqitet të mërkurën, do të përmbajë informacion që do të tregojë se një person është vaksinuar kundër Covid-19 ose që është rikuperuar ose se ka marrë një rezultat negativ në test”, tha Breton.

“Do të jetë ose në formë elektronike ose në letër për të respektuar ata që nuk duan ta vendosin këtë në smartfonin e tyre dhe kjo është e drejta e tyre”, tha komisioneri.

”E pajisur me një kod QR falas, do të jetë në gjuhën e secilit vend dhe e përkthyer në anglisht, e vlefshme në të gjitha vendet e Bashkimit Europian”, detajoi ai.

“Ne po punojmë për ta bërë atë përpara qershorit”, tha Breton duke shtuar se ishte “thelbësore që të bëjmë gjithçka për të ruajtur sezonin turistik”.